Lajme

Zimbabve do të prezantojë monedha ari, ndërsa monedhës vendase i bie vlera


Banka Qendrore e Zimbabve njoftoi se këtë muaj do të fillojë shitjen e monedhave të arit, si një bono thesari për të zbutur inflacionin, i cili ka dobësuar ndjeshëm monedhën vendase.

Guvernatori i bankës qendrore, John Mangudya, në një deklaratë të hënën tha se monedhat do të jenë të disponueshme për shitje nga 25 korriku në monedhën vendase, dollarë amerikanë dhe monedha të tjera të huaja me një çmim të bazuar në çmimin mbizotërues ndërkombëtar të arit dhe koston e prodhimit.

Monedha “Mosi-oa-tunya”, e emërtuar sipas Ujëvarave Viktoria, mund të konvertohet në para dhe të tregtohet në nivel lokal dhe ndërkombëtar, njoftoi banka qendrore.

Monedha e arit do të përmbajë 31.1 gram ari dhe do të shitet nga Fidelity Gold Refinery, Aurex dhe bankat lokale, shtoi ai.

Monedhat e arit përdoren nga investitorët ndërkombëtarisht për t’u mbrojtur kundër inflacionit dhe luftërave.

Inflacioni në rritje në vendin e Afrikës Jugore ka grumbulluar presion mbi një popullsi që tashmë po lufton me mungesat dhe ka ndezur kujtimet e kaosit ekonomik vite më parë nën sundimin gati katër dekadash të liderit veteran Robert Mugabe.

Inflacioni vjetor, i cili arriti pothuajse 192% në qershor, hodhi hije mbi përpjekjen e Presidentit Emmerson Mnangagwa, për të rigjallëruar ekonominë.

Zimbabve e braktisi dollarin e saj të shkatërruar nga inflacioni në vitin 2009, duke zgjedhur në vend të kësaj të përdorë monedhat e huaja, kryesisht dollarin amerikan.

Qeveria rifuti monedhën vendase në vitin 2019, por ajo e ka humbur me shpejtësi përsëri vlerën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore