Kulturë

“Zhvillimi” kalonte nga gruaja shqiptare


Lëvizjet feministe në Shqipëri filluan relativisht vonë, në fillim të shekullit të 20-të.

Kjo, nëse e krahasojmë me vendet e zhvilluara perëndimore.

Sipas studiuesve shqiptarë, aktivizmi i vonë lidhej me shumë faktorë.

Fillimisht, sundimi osman pengoi aspiratën e shqiptarëve për liri.

Së dyti, prapambetja ekonomike e vendit nuk e ndihmoi ndarjen e grave nga ekonomia e brendshme.

Më tej, zbatimi i ligjit të përbashkët dhe normave të bashkësive fetare nxiti fanatizmin dhe parimet konservatore për rolin e gruas në familje dhe shoqëri.

E fundit, ishte mungesa e një sistemi arsimor kombëtar e cila favorizoi përhapjen e analfabetizmit, veçanërisht në popullatën femërore.

Data shënon 18 qershor dhe jemi në vitin 1921.

Në Korçë do të themelohej shoqëria e radhës vajzërore me emrin ÇVILLIMI (Zhvillimi) e cila do të merrte cilësinë e mirëfillë të një sindikate.

Kanunorja (Statuti – AP) i shoqatës së sapothemeluar u botua në shtypshkronjën “Dhori Koti” në Korçë.

Qëllimi i shoqërisë lidhej me ndihmën materiale për nxënësit e vobektë (të varfër) të këtij qarku.

Ndër të tjera, kjo shoqatë feministe synonte përmirësimin e anëtarëve të saj – përmes zhvillimit të trupit, mendjes dhe vetive.

Çdo anëtare si fillim duhet të ishte nga mosha 13 deri 20 vjeç.

Në krye të kësaj shoqërie do të caktohej Sabiha Verleni, nënkryetare do të ishte Marjanthi Kostandini, ndërsa sekretare u emërua Pavlina Turtulli.

Shoqëria e parë feministe në Shqipëri ishte themeluar në muajin janar të vitit 1909 pikërisht në qytetin e Korçës.

Pavarësisht situatës së vështirë, shoqëria e parë e grave, e quajtur “Ylli i mëngjesit” u ngrit nga intelektualet Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi.

Kjo nismë vazhdoi edhe pas shpalljes së pavarësisë dhe formimit të shtetit shqiptar me krijimin e shumë organizatave femërore, si: “Shpresa Kombëtare” (1914), “Rilindja shqiptare” (1919), “Shenjat e përmirësimit” (1920), “Gruaja shqiptare” (1920), “Zhvillimi” (1921), “Bashkimi i Zonjave shqiptare” (1922).

Shoqëritë e grave shqiptare, referuar dëshmive të kohës, dalloheshin për organizimin e tyre të brendshëm demokratik.

Ato siguronin të ardhurat nga pagesat mujore të anëtareve të tyre, dhuratave dhe ndihmave nga jashtë.

Shoqëritë femërore asokohe funksiononin nën një strukturë hierarkike dhe zgjidhnin përfaqësinë e tyre, me votim të fshehtë, në organet përkatëse.

Në fillim të viteve ’20, qyteti i Korçës konsiderohej qendra e lëvizjes feministe shqiptare.

Kjo, jo vetëm për shkak të formimit të shoqërisë së parë të grave “Ylli i mëngjesit”, por aty ndryshoi pozitivisht statusi i gruas me krijimin e sindikatave të zonjave.

Mes të cilave renditej edhe “Zhvillimi”, e cila vendosi kontakte me homologët e tyre në Europë.

Përfshirja e shoqërive të grave shqiptare në lëvizjen ndërkombëtare feministe shërbeu si shtysë.

Kjo, për braktisjen e mentalitetit konservator dhe përqafimin e idealeve të lirisë dhe barazisë së gruas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore