Shqipëria

Zhupa: Qeveria bën propagandë me rindërtimin


Zëdhënësja e Partisë Demokratike (PD), Ina Zhupa, ka denoncuar, të martën, përmes një postimi në media sociale, rastin e një pallati në Tiranë që është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Sipas Zhupës, banorët janë kthyer në banesat e tyre, por procesi i rindërtimit po përdoret si propagandë nga Qeveria.

Ajo akuzon se “po bën propagandë të madhe” me rindërtimin dhe me bonuset.

“Këtu as bonuse nuk kanë dhënë dhe janë ndërprerë në mënyrë të çuditshme. Po ju lejonë juve të jetoni në disa kushte te pabanueshme sepse nuk e kanë mendjen fare tek juve”, shprehet Zhupa.

Gjithashtu, ajo i ka bërë apel Qeverisë “që të reagojë këto tre muajt e fundit që i kanë ngelur në qeverisje”, ndryshe ajo “premton se pas 25 prillit situata do të ndryshojë” dhe se “do rikthehen për ta rindërtuar të gjithë pallatin”. Zhupa aludon se kjo do të ndodhë në rast fitoreje nga ana e PD-së.

Banorët e pallatit janë shprehur se kanë marrë bonusin e qirasë nga Qeveria, deri në gusht të 2020-ës, por në shtator ju është ndërprerë. Ata janë kthyer në banesat e tyre pasi “nuk kanë marrë zgjidhje nga institucionet”.

Ata kanë treguar se kanë marrë para nga Qeveria me vlerën 700 mijë lekë për riparime, por sipas tyre këto janë “të pamjaftueshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore