Shqipëria

Zhupa “përplaset” për menaxhimin e Butrintit me ministren – Margariti: Do të vijojë të jetë pronë e shtetit


Seanca plenare e 9 qershorit në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me debate, lidhur me ligjin e miratuar pak javë më parë për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga një fondacion.

Sakaq, në rend dite ishte përcaktuar interpelancë për çështjen e menaxhimit të këtij parku mes deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, dhe ministres së Kulturës, Elva Margariti.

Ka qenë Zhupa, e cila e ka nisur me akuza ndaj ministres, duke theksuar se, “shteti ynë heq dorë nga mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe këto ia dorëzon një privati”.

Gjithçka, sipas saj, ka ardhur për shkak të “paaftësisë së Ministrisë”.

Më herët, Margariti ka deklaruar se “Butrinti nuk ka ditur të menaxhohet më përpara për shkak të politizimit të administratës”.

Duke marrë shkas nga kjo deklaratë, Zhupa nga foltorja iu drejtua Ministres se, “le të japim me koncesion Ministrinë e Kulturës dhe të na e administrojë Fondacioni shqiptaro-amerikan. Që me sa duket është më i aftë se vetë shteti për të administruar perlën e trashëgimisë kulturore”.

“Pse nuk ndryshojnë procedurat në lidhje me administrimin, duke vendosur profesionistë të administratës, arkeologë, ekspertë, nëse kriteret janë këto, atëherë institucioni i parë është vetë Ministria e Kulturës, sepse i plotëson dy standardet”, ka vijuar deputetja demokrate.

Ndër të tjera, Zhupa ka përmendur dhe faktin se koncesionari – Fondi Shqiptaro-Amerikan – ka katër individë privat dhe ministren e Kulturës.

“Cili duhet të jetë raporti që duhet të ketë administrimi si vlerë kulturore dhe si mjet biznesi?”, e ka përmbyllur Zhupa.

Në kundërpërgjigje, Margariti ka ritheksuar se, “Butrinti do të vijojë të jetë pronë e shtetit dhe nuk i jepet asnjë privati”.

“Do të administrohet nga një fondacion shqiptar dhe do të jetë bashkëpunim me fondacionin shqiptaro-amerikan për zhvillim, punët e të cilit i kemi dëgjuar tashmë që nga pazari i Gjirokastrës, i Tiranës, i Krujës etj.”, ravijëzoi Margariti.

Ministrja u shpreh se ky fondacion do të monitorohet nga Ministria e Kulturës si përfaqësues i palës shtet për të kontrolluar të gjithë aktivitetin e tij.

“Marrëveshja e administrimit nuk parashikon asnjë tjetërsim apo kalim prone. Në krye të fondacionit është bordi me pesë anëtarë, dy nga Ministria e Kulturës, dy nga partneri strategjik dhe një arkeolog i famshëm, Richard Horges”, iu përgjigj Margariti akuzave të Zhupës.

Gjithashtu, ministrja u shpreh se, që në krye të herës, kur plani po hartohej, kërkesa e shtetit shqiptar ka qenë që Ministria e Kulturës të jetë drejtuese bordi.

“Fondacioni funksionon sipas ligjit të OJF-ve shqiptare, pra është jofitimprurës, duke hedhur poshtë çdo akuzë, alibi apo pikëpyetje ngritur me të ardhurat e Butrintit. Çdo qindarkë e Butrintit do të vijojë të mbetet në Butrint”.

Ndër të tjera, ajo ka theksuar se, “ata që shohin ëndrra me kulla e hotele, nuk do të ketë asnjë lloj ndërtimi të tillë. Do të ketë një qendër pritjeje për vizitorët”.

Margariti përmendi faktin se, falë këtij investimi, parashikohen të punësohen 110 njerëz dhe se shteti nuk do të shpenzojë para për pagat e punonjësve.

“Investimet që parashikohen në total 7.5 milionë dollarësh, ku 5 milionë janë dhënë në formën e marrëveshjes së grantit nga partneri strategjik dhe 2 milionë të tjera janë të garantuara nga arka e parkut të Butrintit, të mbledhura në periudhë 10-vjeçare”, përmbylli Margariti.

Investimi strategjik

Aktorët kryesorë, që janë nënshkrues në kontrata apo marrëveshje mes palëve, janë Ministria e Kulturës, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Instituti i Arkeologjisë (IA).

Këtë e dëshmon pikërisht protokolli i bashkëpunimit mes palëve, të cilin e ka siguruar më herët Albanian Post.

Ai është firmosur nga përfaqësuesit e fondacionit, ministrisë dhe institutit, si palët e vetme në Menaxhimin e Butrintit.

Fondacioni, sipas marrëveshjes, do të ofrojë mbështetje financiare për projektet e IA-së, të cilat do të zhvillohen në zonën e “Pasurisë Kulturore”.

Njëra nga risitë e kontratës është prioriteti që do t’u jepet “arkeologëve shqiptarë”, në një sit që ka tërhequr më së shumti vëmendjen e arkeologëve italianë apo britanikë në të kaluarën.

Butrinti do të ketë, më në fund, një ambient të përshtatshëm për ekspozimin e “gjetjeve arkeologjike dhe historisë së gërmimeve”.

Kjo e fundit është menduar të vendoset në “qendrën e vizitorëve”, të cilës do t’i kthehemi sërish më poshtë.

Depozitimi dhe ruajtja e fondit arkeologjik do të zhvendoset në qytetin e Sarandës, duke iu referuar dokumentit, për të mundësuar ruajtjen e tyre.

Për të kuptuar dakordësinë mes palëve, mjafton të lexohet se fondacioni “do të konsultohet rregullisht me IA-në për çdo çështje që prek Pasurinë Kulturore dhe fushës së arkeologjisë”.

Në të kundërt, pika e fundit e bashkëpunimit lë të hapur mundësinë që palët mund t’i drejtohen Gjykatës së Tiranës, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Protokolli i bashkëpunimit mes Fondacionit dhe IA-së do të shkojë në parlament për t’u ratifikuar si ligj.

 

Si nisi projekti?

Prezantimi i draftit të Planit të Integruar të Menaxhimit të Butrintit do të prodhonte “përplasje” në distancë edhe në tetor të vitit 2019.

Më 15 tetor, drejtori i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, AADF, Michael Granoff i dorëzonte ministres Margariti draftin e planit.

Projekti i planit të menaxhimit do të hartohej nga firma prestigjioze britanike “Prince & Pierce” me një financim prej 250 mijë dollarësh nga AADF-ja.

Gjatë takimit, Granoff deklaroi se ky projekt ka qenë një ndër më afatgjatët ku ishte përfshirë fondacioni.

Ndërsa, zyrtarja shqiptare e konsideroi planin e menaxhimit – asokohe – si produkt të një bashkëpunimi 10-vjeçar me AADF-në.

Sipas saj, ai synonte të projektonte menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit gjatë dekadës që vinte.

“Ligji i ri për trashëgiminë kulturore dhe muzetë specifikon krijimin e fondacioneve të posaçme, ku Ministria e Kulturës është pjesë e fondacionit dhe është drejtuese e fondacionit”, shpjegonte që në atë periudhë Margariti.

Ligji i ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë u miratua në vitin 2018.

Ai parashikonte administrimin e pasurive kulturore në mënyrë direkte nga institucionet shtetërore, ose në formë indirekte nëpërmjet fondacioneve të posaçme.

Katër muaj më parë, qeveria shqiptare miratoi një vendim pikërisht për mirërregullimin e ligjit për Fondin Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore.

Historiku i Butrintit

Tregimet moderne për qytetin e Butrintit u shfaqën për herë të parë në fillim të shekullit të 19-të: ndërmjet viteve 1789 dhe 1808.

Ali Pasha mundi t’i hiqte shumë territore kontrollit venecian, duke ndërtuar kështjellën e tij në grykën e Kanalit të Vivarit.

Si Franca, ashtu edhe Anglia, vendosën të nënshkruanin marrëveshje me të duke dërguar konsullin francez F. C. H. L. Pouqueville dhe kolonelin anglez W. M. Leake, të cilët botuan ditarët e tyre në vitet 1824 dhe 1835 duke përmendur për herë të parë, pas shumë vitesh, qytetin e Butrintit.

Megjithatë, vetëm në fund të viteve 1920, Luigi Maria Ugolini, kreu i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, i cili filloi në vitin 1925 i mbështetur nga Musolini, e rizbuloi zyrtarisht qytetin nga viti 1928 deri në 1935.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Butrint filluan kërkimet e reja nën drejtimin e Hasan Cekës, babait të arkeologjisë shqiptare, me bashkëpunimin e Dhimosten Budinës, Kosta Lakos, Dhimiter Çondit, Selim Islamit dhe Skender Anamalit dhe nga viti 1982 deri në vitin 1986, Astrid. Nanaj.

Butrinti u shpall pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1992.

Nga viti 1993 deri në vitin 2012, Richard Hodges, me mbështetjen e Fondacionit Butrint, drejtoi një fushatë të re të rëndësishme në qytet, duke u fokusuar veçanërisht në historinë bizantine dhe mesjetare të zonës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore