Shqipëria

Zhdukja e italianit Davide Pecorelli, kërkime edhe në Itali


Policia shqiptare është duke punuar për çështjen e zhdukjes së italianit Davide Pecorelli, në Shqipëri, në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Prokurori i Perugia-s, në Itali, ka hapur një dosje për krimin e vrasjes. Hetuesit italianë janë shprehur se do të nisen në Shqipëri për një përballje të drejtpërdrejtë me kolegët, që ndjekin çështjen në Tiranë.

Çfarë shkruajnë mediat italiane për rastin e Pecorelli-t?

Agjentët italianë kanë shkuar në shtëpinë e Pecorelli-it, në Lama për të kryer një kontroll. Ata kanë parë librat e kontabilitetit dhe kanë dëgjuar partnerin e tij, një shqiptar, i cili është edhe pronari i qendrave të bukurisë të themeluara nga Davide.

“Siç dihet, aktivitetet po kalonin një periudhë të vështirë, veçanërisht që nga ardhja e pandemisë. Që nga muaji shtator, Davide e ka vizituar katër herë Shqipërinë për të filluar projekte të rëndësishme biznesi. Kjo është pista tek e cila po e përqendrojnë hetuesit vëmendjen e tyre”, shkruajnë mediat italiane.

Ato thonë se vetëm në këtë mënyrë mundet të kthehemi tek ajo që ndodhi në malet e Pukës. Duhet të kuptojmë pse Pecorelli qëndroi gati tre ditë në atë zonë, larg nga qendrat më të rëndësishme të banimit.

“Shumë persona duke e njohur Davide-n, mendojnë se ardhja e tij në Shqipëri mund të ketë qenë një arratisje vullnetare për t’u larguar nga problemet ekonomike”, thonë mediat italiane.

Bëjmë me dije se, Tonin Vocaj, Drejtori i Policisë Kriminale, pranoi se vetëm një ditë pas zjarrit u vunë re eshtrat brenda automjetit të djegur të sipërmarrësit dhe ish-arbitrit italian.

“Unë shkova personalisht në Pukë për të koordinuar hetimet. Ne jemi duke pritur për rezultatet e ADN-së së eshtrave. Atëherë gjithçka do të jetë më e qartë”, ka shtuar Vocaj.

Kujtojmë se Pecorelli mbërriti në Shqipëri më datë 3 janar. Fillimisht ai shkoi në Vlorë, më pas në Shkodër e në Pukë, ku qëndroi për dy ditë. Gjurmët e tij u zhdukën mesnatën e 6 janarit, pasi automjeti, të cilin ai e kishte marrë me qira në Rinas, mori flakë. Ende nuk dihet nëse eshtrat e djegura të gjetura në makinën e djegur, i përkasin atij apo jo./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore