Shqipëria

Zhdukja e dokumenteve në Kadastrën e Tiranës, Prokuroria nis hetimet


Prokuroria e Tiranës të martën e 21 qershorit ka bërë me dije se ka nisur një hetim në kadastrën e Tiranës.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhej se hetimi ka të bëjë për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Zhdukjes dhe vjedhjes se dokumentave”.

Kjo pasi kanë humbur dhe janë dëmtuar regjistrat e Kadastrës së Tiranës.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, duke marrë shkas nga deklaratat e bëra në mediat e shkruara dhe audiovizive nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, lidhur me humbjen apo dëmtime të tjera të faqeve të regjistrave të kadastrës, për zonat në zhvillim të Tiranës si Farka, Ndroqi, Shën Gjergji etj, ka filluar hetimet”, theksohej në njoftimin e Prokurorisë.

Sakaq ajo sqaron opinionin publik se lidhur me faktet e sipërpërmendura Prokuroria është e angazhuar maksimalisht që të hetojë në drejtim të zbulimit dhe vënies përpara përgjegjësisë penale të çdo zyrtari apo personi të përfshirë në veprimtari të kundraligjshme në dëm të interesave të ligjshme te qytetarëve apo shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore