Shqipëria

“Zgjidhja mund të jetë një avion larg”


“Mos bëj asgjë që nuk të pëlqen, dhe mos e ndiej veten të ngecur, sepse zgjidhja mund të jetë një avion larg” deklaron për Albanian Post, ish-studentja, Natali Shkëmbi, e cila kujton eksperiencën e saj në programin ‘Erasmus’.

Programi i shkëmbimeve të studentëve në Evropë, Erasmus, numëroi vitin e 34-t të një historiku shumë të suksesshëm dhe të frytshëm.

Mbi 10 milionë studentë kanë përftuar nga përvoja e dhënë nga programi Erasmus.

Për Shkëmbin, Erasmus është ashtu siç mund ta kemi parë nëpër filma. Ajo e përshkruan përvojën e saj mes përpjekjes për të mbajtur një balancë mes studimit, party-t, larjes së dhomës, krijimit të njohjeve të reja apo udhëtimeve.

“Midis gjithë kaosit gjen një lloj qetësie për të menduar mbi të ardhmen, dhe per t’i hedhur një këndvështrim më largpamës jetës: çfarë dua të bëj”, thekson Shkëmbi.

Shkëmbi sjell në vëmendje faktin që përmes këtij lëmshi të bukur të njerëzve, Erasmus të ndihmon që të gjesh copëza të vetvetes në pasqyrimin që të ofron çdo person i ri që njeh.

“Përmes eksperiencave me të tjerë të ndihmon të kuptosh se nga cilët njerëz do të rrethohesh, nis tërhiqesh ndaj kulturave të caktuara”, tha Shkëmbi.

Sipas saj, Erasmus-i ecën në këtë sens paralelisht me idenë e globalizimit.

Teksa rikujton mbresën më të fortë të rrënjosur, Shkëmbi u shpreh se është “ideja që asgjë nuk zgjat shumë, ndaj gjërat e bukura duhen shijuar në maksimumin e tyre”.

Larg rehatisë, afër shkëmbimeve

Dosti Banushi, një student shqiptar foli për AP-në për praktikën nga afër dhe përvojën e shkëmbimit të Erasmus-it.

“Programi Erasmus më ka dhënë mundësi të përjetoj shumëçka, kryesisht mbi gjëra që lidhen me shkëmbimin e kulturave. Të paktën nga eksperienca ime personale, unë isha në një qytet që cilësohej si qyteti i Erasmus-it”, deklaron Banushi.

Ai kujtoi se në qytet kishte rreth 2 mijë të huaj, ose të rinj ndërkombëtarë që shkëmbenin studimet e tyre aty.

Kjo përzierje kulturash, sipas tij, të mëson që të hapësh diapazonin tënd, të zgjerosh perspektivën dhe ta shikosh jetën nga një këndvështrim komplet i ri.

“Ajo të mundëson të eksplorosh alternativa të reja dhe që të rrish gjithmonë kurioz, por që gjithashtu edhe të dalësh nga ‘comfort zone’, të arrish që të bësh gjëra që nuk i ke menduar më parë se do i bëje”.

Sipas Banushit, Erasmus-i është një platformë evropianizimi ose ndryshe, një plaftormë e cila mbështetet mbi ‘mantrën’ e Bashkimit Evropian që është ‘solidariteti’ dhe njohja e perspektivave të reja.

“Ajo që unë vura re është që të gjithë studentët që kishin bërë një shkëmbim përmes Erasmus+ kishim qasje goxha pozitive ndaj projektit evropian”, u shpreh ai.

Ai thotë se i njihnin pikat e dobëta dhe normalisht e kritikonin atë, por gjithmonë me qëllimin për të gjetur mënyrën se si puna e BE-së të përmirësohej.

Për Banushin tek të rinjtë, të cilët nuk e kanë gjetur mundësinë të heqin dorë nga rehatia dhe të bëjnë Erasmus+ apo edhe një semestër Exchange Programme, këta të fundit ishin shumë më euroskeptik edhe nuk i njihnin avantazhet e BE-së.

“Mbresat janë të shumta”, thotë Banushi, “dhe janë personale pasi çdo njeri reflekton në mënyrën e tij”.

Sakaq, ai shtoi se vlera që ka brendësuar më së shumti nga eksperienca Erasmus+, ka qenë zgjerimi i mendjes. Pra, t’i lejosh vetes të jesh i hapur ndaj mënyrave të reja se si bëhen gjërat.

“Mbresa e dytë është ajo e mirëkuptimit dhe pranimit të kulturave të tjera ashtu siç ato janë”, përmbylli Banushi.

BE-ja dhe Erasmus-i

Në 33 vjet ka pasur 10 milionë studentë përftues. Kjo shifër pritet që të arrihet në shtatë vjetët e ardhshme, falë avancimeve teknologjike.

Për këtë, Bashkimi Evropian e ka dyfishuar buxhetin mbi programin. Nga 14.7 miliardë euro në gjashtëvjeçarin e fundit, ka shënuar rritje në 28.4 miliardë euro për vitet 2021-2027.

Sipas të dhënave nga BE-ja, studentët, të cilët kanë marrë pjesë në Erasmus, e kanë dy herë më të thjeshtë të gjejnë punë një vit pas diplomimin. Madje, një në tre të trajnuar, marrin ftesa nga ofruesit e studimeve apo punës.

Sfida e radhës e këtij Erasmus-it është radikalisht kundrej asaj fillestare. Kjo, sepse, nëse më parë programi prirej të shkonte për nga bashkimi fizik i studentëve evropianë, sot priret për nga bashkimi virtual i tyre, për shkak të masave ndaj Covid-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore