Shqipëria

Zgjedhjet për kreun e PD-së zhvillohen pa një vendim Gjykate/ Cili do të jetë fati i demokratëve “të ndarë”?


Partia Demokratike gjatë kësaj dite zhvillon zgjedhjet për kreun e ri të saj. Dy janë kandidatët, njëri ish-lideri i saj historik Sali Berisha dhe tjetri Ibsen Elezi.

PD-ja është futur në krizë të thellë politike. Kjo për faktin se demokratët janë “përçarë’. Një vendim i ish-kreut Lulzim Basha, solli dhe ndarjen e tyre.

Më 9 shtator ai përjashtoi Berishën nga Grupi Parlamentar, vetëm një ditë përpara fillimit të punimeve të Legjislaturës së re.

Shpallja e Berishës si persona non-grata nga SHBA-të solli dhe marrjen e kësaj mase nga Basha.

Si kundërpërgjigje ndaj “përjashtimit nga Basha”, Berisha nisi menjëherë një aksion, duke mbajtur një seri foltoresh për të mbledhur firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.

Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 zhbëri të gjitha vendimet e Bashës dhe nxori Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit. Ndërsa ai i 30 prillit njoftoi dhe datën për kreun e ri të demokratëve.

Për rrjedhojë PD-ja është e ndarë në dy grupime politike: Grupi i Rithemelimit dhe grupi i PD-së zyrtare – pasi pritet një vendim i Apelit rreth njohjes së ndryshimeve statutore të 11 dhjetorit – që drejtohet nga kryetari i mandatuar Enkelejd Alibeaj.

Sa legjitime janë këto zgjedhje?

Gjykata e Tiranës më 25 mars i dha të drejtë Komisionit të Rithemelimit dhe Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha, me ndryshimet statutore që janë kryer gjatë punimeve.

Alibeaj – të cilin Rithemelimi nuk e njeh dhe e ka shkarkuar nga kryetar i Grupit Parlamentar – ka ankimuar vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e ndryshimeve statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit.

Konkretisht kjo çështje është në Gjykatën e Apelit të Tiranës, pasi e ka pranuar ankimin e Alibeajt.

Avokati Rezart Kthupi për Albanian Post ka sqaruar se fakti që gjykata e ka njohur të drejtën e palës ankuese (PD Zyrtare) për ta ankuar vendimin do të thotë që çështja e të drejtës së ankimit është zgjidhur nga gjykata.

“Me paraqitjen e ankimit në Gjykatën e Apelit, regjistrimin nga kjo e fundit dhe hedhjen e shortit jemi ne kushtet kur kjo Gjykatë do të duhet të shprehet me vendim për vlefshmërinë ose jo të vendimit të gjyqtarit Zhukri”, thotë avokati.

Për avokatin kjo procedure sjell si pasojë faktin që vendimi i gjyqtarit Zhukri nuk mund të prodhojë pasoja juridike deri sa nuk është shqyrtuar nga Gjykata e Apelit.

Enkelejd Alibeaj

“Për aq kohe sa palët kanë zgjedhur t’i drejtohen Gjykatës për zgjidhjen e një konflikti politik në rrugë gjyqësore, asnjëra nuk mund të pretendojë se Gjykata po shqyrton çështje të brendshme”, shprehet Kthupi.

I pyetur nga Albanian Post se a do të duhej që Gjykata të jepte një vendim më të përshpejtuar lidhur me këtë, eksperti ligjor theksoi se Gjykata ndjek rregulla procedurale dhe nuk mund te ndikohet nga ndjeshmëria politike e palëve dhe nga pritshmëritë për vendimin.

“Për aq kohë sa nuk ka një kërkesë për përshpejtimin e gjykimit, Gjykata do vijojë me shqyrtimin e çështjes sipas afateve normale të punës së saj”, ravijëzoi eksperti.

Sa i përket zgjedhjeve dhe rezultatit të kësaj dite avokati thekson se nuk mund të prodhojë asnjë pasojë juridike.

“Për aq kohë sa nuk ka një vendim përfundimtar mbi legjitimitetin e Kuvendit të 11 dhjetorit dhe vendimeve të marra prej tij, çdo veprim që kryhet bazuar mbi këtë Kuvend nuk mund të prodhojë pasoja juridike”, shtoi avokati.

Sipas avokati Kthupi nëse Gjykata e Apelit do lërë në fuqi vendimin e gjyqtarit Zhukri, kuvendet e mbledhura pas atij të 11 dhjetorit do kenë vlefshmëri juridike dhe zgjedhja e kryetarit te ri më 22 maj do të jetë e vlefshme dhe mund të regjistrohet në Gjykatë.

Ndër të tjera ai thotë se kryetari i ri i zgjedhur do të jetë edhe ligjërisht kryetari i ri i PD-së.

Nga ana tjetër Kthupi shprehet se nëse Gjykata e Apelit rrëzon vendimin e Zhukrit, atëherë edhe zgjedhjet e 22 majit do të jenë pa asnjë pasojë juridike.

“Kryetar i PD-së do të vijojë të jetë Alibeaj, deri në zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm”, e përmbyll avokati Kthupi.

Deri këtu fati i Partisë Demokratike nuk dihet.

Gjykata e Apelit do të jetë ajo që do vendosë “vulën”: PD-ja e Rithemelimit apo PD-ja zyrtare…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore