Shqipëria

Zgjedhjet në Peru: Mbaron numërimi i votave, fitues zyrtar nuk ka ende


Votuesve në Peru, më 6 qershor, iu kërkua të zgjedhin midis dy kandidatëve rrënjësisht të ndryshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Ish-mësues, i majti Pedro Castillo u përball me rivalen e tij të djathtë Keiko Fujimori në sondazhin më të polarizuar në historinë e fundit të Perusë.

U desh më shumë se një javë që numërimi i votave të përfundonte, por asnjë kandidat nuk është shpallur fitues ende.

Çfarë thonë shifrat?

Me të gjitha votat e mbledhura, Pedro Castillo kishte 50.125% të votave dhe Keiko Fujimori kishte 49.875%.

Këto shifra i japin Castillo-s një epërsi prej 0.25 pikë përqindjeje ndaj Fujimori-t, e cila arrin në 44 mijë e 58 vota.

Numërimi u krye nga Zyra Kombëtare e Proceseve Zgjedhore (ZKPZ). Organi zyrtar i ngarkuar për organizimin e zgjedhjeve në Peru.

ZKPZ-ja e shpalli zyrtarisht më 15 qershor përfundimin e numërimit të votave.

Numërimi përfundoi por nuk ka fitues zyrtar

Organi i pavarur përgjegjës për shpalljen fitues është Juria Kombëtare e Zgjedhjeve (JKZ), jo ZKPZ-ja.

JKZ-ja ka thënë se nuk do të deklarojë askënd fitues derisa të shqyrtojë të gjitha të dhënat e votimit që janë kontestuar dhe të vendosë mbi kërkesat për të anuluar votat.

Presidenti i saj, Jorge Luis Salas Arena, tha se JKZ-ja po vazhdonte “në mënyrë të paanshme dhe transparente” dhe i bëri thirrje popullit të presë me qetësi.

Seancat dëgjimore të JKZ-së në të cilat ankesat nga të dy palët janë duke u shqyrtuar dhe po transmetohen drejtpërdrejt në TV dhe Facebook për të siguruar transparencën.

Pse po rishikohen fletët e votimit?

Të dy palët kishin kërkuar që një numër i rekordeve të votimit të rishikohen duke pretenduar parregullsi. Por shumica e ankesave kanë ardhur nga partia e Forcës Popullore të Keiko Fujimori-t.

Fujimori pretendon se ka pasur mashtrim të gjerë zgjedhor dhe javën e kaluar u kërkoi autoriteteve zgjedhore të anulonin rreth 200 mijë vota.

Sidoqoftë, ajo nuk ofroi prova të hollësishme të mashtrimit sistematik, të cilat do të sillnin anulimin e votave.

Ajo pretendon se ka konstatuar një numër të lartë fletësh votimi në disa zona rurale të cilat nuk kishin asnjë qendër votimi. Duke akuzuar Partinë e Lirë të Perusë të Castillo-s për “vjedhje të votave”. Ky i fundit e ka mohuar këtë gjë.

Castillo kishte një mbështetje të lartë në zonat rurale, prandaj një rezultat i tillë pritej.

Organizata e Shteteve Amerikane (OSA), e cila kishte dërguar vëzhgues në zgjedhje, tha se nuk kishte gjetur prova të parregullsive serioze.

Çfarë do të ndodhë?

Pasi numërimi i votave arriti 100% dhe në krye doli Pedro Castillo. Ai ndryshoi përshkrimin në profilin e tij në Twitter në “president i zgjedhur”.

Kandidati për President, Pedro Castillo

“Një kohë e re ka filluar. Miliona peruanë janë ngritur në këmbë për të mbrojtur dinjitetin dhe drejtësinë e tyre”.

Por Fujimori nuk ka pranuar dhe u ka thënë mbështetësve të saj se ajo “do të mbrojë demokracinë e Perusë”.

JKZ- tha se do të shqyrtonte të gjitha çështjet që iu referuan asaj nga Juria e Posaçme Zgjedhore (JPZ). Seancat dëgjimore të JKZ-së kanë filluar dhe pritet të zgjasin me ditë, ose ndoshta edhe javë.

Pse ka rëndësi?

Me dy kandidatët që përfaqësojnë vizione shumë të ndryshme për Perunë, fituesi mund të përcaktojë se në cilën rrugë shkon vendi për pesë vitet e ardhshme.

Castillo është një i porsaardhur në jetën politike, një mësues i shkollës fillore, i majtë, nga Peru-ja rurale, i cili ishte pak i njohur para raundit të parë të zgjedhjeve.

Disa investitorë kanë shprehur shqetësim në lidhje me premtimin e fushatës së tij për të futur taksa më të larta në firmat minerare në kombin prodhues të bakrit.

Monedha e Perusë ka rënë dhe është afër një niveli më të ulët të të gjitha kohërave dhe ekziston frika se nëse ai shpallet fitues, ekonomia mund të destabilizohet më tej.

Castillo u përpoq të qetësonte disa nga këto frikëra më 16 qershor kur ai tha se “do të garantonte një ekonomi të qëndrueshme, duke respektuar pronën private dhe duke respektuar investimet private”.

Kritikët e Fujimori-t kanë frikë se nëse ajo do të qeverisë, kjo do të rezultojë në një kthim në pushtet për “rojën e vjetër” të Perusë.

Ajo ka thënë se do të falë babanë e saj, ish-presidentin Alberto Fujimori. Ky i fundit është në burg duke vuajtur një dënim me 25 vjet heqje lirie për krime. Përfshirë korrupsionin dhe abuzimet e të drejtave të njeriut.

Kandidatja për Presidente, Keiko Fujimori

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve do të ndryshojë gjithashtu të ardhmen e menjëhershme të Fujimori-t.

Ajo po përballet me akuza për pastrim parash dhe nëse zgjidhet, procedimet kundër saj do të pezullohen për sa kohë do të qëndrojë në detyrë.

Sidoqoftë, analistët thonë se kushdo që shpallet fitues do të duhet të luftojë me një Kongres të fragmentuar, i cili ka të ngjarë ta bëjë të vështirë kalimin e ndryshimeve rrënjësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore