Lajme

Zgjedhjet në Kosovë: Votat e diasporës përmbysin rezultatin në një komunë


Ilutrim

Në qytezën më jugore të Kosovës, Dragash është përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili ka marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora ka arritur të marr vetëm 54 vota.

Kjo u bë e ditur pas përfundimit të numrimit të votave me postë në Qendrën e Numrimit dhe Rezultateve (QNR) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën me 14 nëntor.

Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, kandidati i PDK-së, Shaban Shabani kishte arritur të fitoj 5 mijë e 648 vota me një epërsi prej 47 votash në raport me kandidatin e LDK-së, Bexhet Xheladini i cili kihte fituar gjithsej 5 mijë e 601 vota.

PDK e konteston votat e diasporës

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dega në Dragash ka kontestuar rezultatin e votave të ardhura nga diaspora.

Në rrjetin social Facebook ky subjekt politik pretendon se votat e diasporës janë manipuluar.

“Nga ajo që sot pamë në QNR nga vëzhguesit tanë, shumica e votave me postë që kanë ardhur për Komunën e Dragashit, janë vota të manipuluara, të mbushura nga një dorë e vetme. Po ashtu, shihet qartë që zarfet janë të shënuara nga e njëjta dorë”.

“Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë që të filloj hetimet sa më parë dhe ti jepet fund keqpërdorimeve me votat me postë”.

Në njoftim thuhet se PDK është e gatshme të ofroj Prokurorisë gjithë informatat që i posedojnë sepse askush nuk mund ta deformoj vullnetin e mijëra votuesve të kësaj komune.

Kjo parti ka kërkuar nga KQZ dhe PZAP që rezultatet e diasporës të mos përfshihen në rezultatet zgjedhore sepse në të kundërtën do të paraqesin ankesa në institucionet kompetente.

“Kërkojmë nga KQZ dhe PZAP që të reagoj menjëherë për këtë krim dhe këto zarfe të mbushura nga një dorë e vetme, mos të përfshihen në rezultatet zgjedhore”.

“Në të kundërtën, ne jemi të detyruar t’i ndjekim të gjitha instancat ligjore për ta mbrojtur vullnetin e qytetarëve të Dragashit nga keqbërës që me metoda kriminale mundohen ta deformojnë rezultatin”, thuhet në njoftimin e PDK-së, dega në Dragash.

Ndëra Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka konfirmuar se është fituese e zgjedhjeve lokale në Dragash.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një publikimi në rrjetin social Facebook.

“Konfirmohet fitorja e madhe e LDK-së në Dragash”.

“Bexhet Xheladini, tashmë edhe zyrtarisht është kryetar i ri komunës së Dragashit”, thuhet në postim.

LDK ka falënderuar diasporën për kontributin dhe mbështetjen masive që i keni dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjithashtu edhe dega e LDK-së në Dragash ka bërë thirrje qytetarëve që festa e fitores të bëhet në mënyrë të kulturuar si dhe ta kenë parasysh edhe situatën pandemike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore