Shqipëria

Zgjedhjet e pjesshme/ Celibashi njofton problematikat: Në tre qendra votimi nuk ka filluar votimi


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, mesditën e 6 marsit në një raportim për problematikat që janë hasur gjatë kësaj dite në qendrat e votimit për zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashki, ka bërë me dije se tre qendra votimi janë mbyllur, pasi atje nuk nisi procesi për shkak të kushteve atmosferike.

“Në tre qendra votimi nuk ka filluar procesi, pasi ka kaluar afati prej pesë orësh dhe janë dy qendra në Shosh e një në Pult, dhe procesi aty do të deklarohet i pavlefshëm”, tha Celibashi në fjalën e tij.

Ai deklaroi se, “në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet sistemit online kemi marrë raportime mbi qendrat e votimit”.

Celibashi, në fjalën e tij, tha se, “në përgjithësi nuk raportohen problematika sinjifikative. Ka disa probleme që lidhen me mënyrën e procesit të votimit”.

“Në disa qendra kemi pasur raportime nga partitë, që kanë thënë se ka pasur grumbullime të njerëzve të paautorizuar. Kemi komunikuar dhe na kanë raportuar se situata është kthyer në normalitet”, vijoi ai.

Sakaq, ai u bëri thirrje partive politike të mos bëjnë deklarime publike që thyejnë heshtjen zgjedhore.

Ndërkaq ai njoftoi se, në pesë qendra votimi identifikimi, është bërë me lista të printuara.

Në 15 qendra të tjera është bërë zëvendësimi i pajisjes së identifikimit elektronik.

“15% e problematikave lidhen me administrimin e zgjedhjeve. 73% e problematikave të raportuara lidhen me pajisjen elektronike të identifikimit. 13% e problematikave lidhen me kamerat e vëzhgimit në qendrat e votimit”, shtoi Celibashi.

Që prej orës 7 të mëngjesit janë hapur 75% e qendrave të votimit, ndërsa 25% u hapën në 07:30.

Nga ana tjetër, Komisioneri sa i përket sistemit elektronik në Vorë, procesi ka vijuar normalisht, ndërsa sa i përket mungesës së komisionerëve të Partisë Demokratike do të ketë një trajtim ligjor.

“Votimi në pesë qendrat e votimit atje, që unë e pashë, mund ta përkufizoj si model. Nuk kishte problematika”, theksoi Celibashi.

Nga ana tjetër, PD-ja ka akuzuar se kjo po bëhet për të minuar procesin e zgjedhjeve në këtë bashki.

Celibashi theksoi se pjesëmarrja në këto zgjedhje është më e ulët se në zgjedhjet për Kuvendin, ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve për të votuar.

“40% e problemeve në Shkodër, 33% në Durrës, 12% në Lushnjë, 9% në Dibër, 6% në Rrogozhinë. Nëse zgjedhjet në Shkodër shpallen të pavlefshme votimet e reja bëhen katër javë pas vendimit”, e përmbylli Celibashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore