Zgjedhjet e Jashtëzakonshme në Veri: Institucionet po presin 8% pjesëmarrje
Zgjedhjet ne Veri
Altina Marmullaku
23.04.2023 7:52Zgjedhjet e Jashtëzakonshme në Veri kanë filluar dhe mbetet mister se cili do jetë numri i pjesëmarrësve, pasi partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka bojkotuar pjesëmarrjen dhe ka ftuar serbët e Kosovës që t’i bojkotojnë zgjedhjet edhe ata.
Një kryesues i një qendre në Zubin Potok, duke folur për media, ka thënë se sipas kalkulimeve që kanë bërë, sipas disa sondazheve, po presin diku pjesëmarrje prej 8 për qind nga totali i atyre që kanë të drejtë votimi.
Në këto zgjedhje për katër kryetar komunash dhe dy asamble komunale, gjithsejtë kanë të drejtë vote 45 mijë e 95 persona.
Qyteti me numrin më të madh të qytetarëve me të drejtë vote është Mitrovica e Veriut me 18 mijë e 118 votues.
Qendra e dytë më e madhe është Leposaviqi me 13 mijë e 318 persona me të drejtë vote.
Dy qytetet tjera Zubin Potoku dhe Zveçani janë përafërsisht me të njëjtin numër qytetarësh që mund të votojnë.
Derisa Zveçani ka 6 mijë e 998 persona me të drejtë vote, Zubin Potoku ka 6 mijë e 661 pjesëmarrës potencialë në zgjedhje.
Nga ky numër prej 45 mijë vetash në total, Komisioni Qendror Zgjedhor po pret pjesëmarrje rreth 8 për qind.
Nga minutat e para të hapjeve të vendvotimit shihet se vështirë do të jetë i arritshëm edhe ky numër, meqë në orët e para nuk është regjistruar asnjë votues.