Shqipëria

Zgjatja e vetting-ut, reagojnë ndërkombëtarët: Parlamenti shqiptar shprehu vullnet të fortë ndërpartiak


“Sot Parlamenti shqiptar tregoi vendosmëri të fortë ndërpartiak për të ecur përpara në pranimin në Bashkimin Evropian”.

Ky ka qenë reagimi i ambasadorit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, fill pas votimit pro të ndryshimeve Kushtetuese për zgjatjen e organeve të vetting-ut.

Soreca duke shprehur mirënjohjen për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, e cilësoi këtë si një moment historik dhe vendimtar për rrugën drejt përfundimit të Reformës në Drejtësi.

“E rëndësishme që organet e vetting-ut të vazhdojnë punën e tyre, me profesionalizëm dhe integritet më të lartë, për të siguruar një finalizim të suksesshëm dhe të shpejtë të procesit”, shkruan Soreca ndër të tjera në median sociale Twitter.

Nga ana tjetër, ai theksoi se i mirëpret dhe vendimet e tjera të propozuara nga opozita –Partia Demokratike – për të çuar përpara në komisionet ad hoc të Kuvendit punën për reformën zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, si dhe për reformën territoriale, duke ruajtur arritjet e deritanishme.

Edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, e ka përshëndetur vullnetin politik të parlamentit.

“Përshëndes faktin që pjesë të opozitës parlamentare mundësuan këtë vendim me shumicë të cilësuar, duke e mbështetur atë në mënyrë konstruktive”, theksoi Zingraf.

Njësoj si Soreca, edhe për Zingraf, kjo do t’i hapë rrugë Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

“Përgëzoj të gjithë deputetët, që votuan për vijimin dhe përmbylljen e procesit të verifikimit të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, e kësisoj për reformën në drejtësi dhe shtetin ligjor”, shkruan Zingraf.

Të dy ambasadorët e kanë mbyllur mbështetjen e tyre me mesazhin se, “kjo ishte një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”.

Po ashtu edhe nga ambasadaroja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, është mbështetur ky vendim.

“Amendamenti për zgjatjen e vetting-ut duheshin 94 nga 140 vota. Kaloi me mbështetjen dërrmuese: 118 pro, asnjë kundër, katër abstenime” thekson Kim në mesazhin e saj.

Ndër të tjera nga delegacion i Ambasadës amerikane theksohet se, “ky është një hap i rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët – drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit evropian”.

Ata e mbyllin me mbështetjen e tyre ndaj Shqipërisë, “përgjatë kësaj rrugë të rëndësishme”.

Gjithashtu edhe nga delegacioni britanik kanë reaguar duke theksuar se, “mirëpresim vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për të mbështetur në zgjatjen e mandatit të institucioneve të vetting-ut”.
“Votimi i sotëm është një angazhim i fortë drejt zbatimit të procesit të reformës në drejtësi dhe një gjyqësori efikas dhe të pavarur”, përmbyllet mesazhi i tyre.

Ndërkaq prezenca e OSBE-së në Shqipëri e ka mirëpritur vendimin ndërpartiak të Kuvendit për të zgjatur mandatin e institucioneve të vetting-ut.

“Kjo votë njeh faktin që Kushtetuta u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe ne përgëzojmë konvergjencën mes opozitës dhe maxhorancës. Përfundimi i reformës në drejtësi është i një rëndësie kyçe”, vijon reagimi nga prezenca e OSBE/ODHIR.

Sipas tyre është po aq e rëndësishme që të gjitha forcat politike të vijojnë në rrugën e reformës me këtë frymë respekti të ndërsjellë për të mirën e interesit kombëtar.

“Prezenca e OSBE-së do të vijojë t’u ofrojë mbështetje të plotë institucioneve shqiptare, në bazë të mandatit të saj dhe të bashkëpunimit tonë afatgjatë’, theksohet nga ata.

Në përfundimin ata kanë përshëndetur edhe ngritjen e komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale.

“Prezenca mbetet e gatshme të vijojë të ndihmojë institucionet e Shqipërisë për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”, përmbyllet mesazhi i tyre.

Kujtojmë që ndërkombëtarët kanë qenë një zë i fortë lobues përgjatë këtyre muajve për votimin pro të ndryshimeve Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë pasditen e 10 shkurtit ka miratuar me 118 vota pro, asnjë kundër dhe katër abstenim ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vetting-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore