Shqipëria

Zgjatet vetting-u, Kuvendi ndryshon Kushtetutën me 118 vota pro


Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 118 vota pro, asnjë kundër dhe katër abstenim ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vetting-ut.

Teksa nga palët e partive politike kishte qasje të ndryshme, faktori ndërkombëtar u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të votonin “pro” zgjatjes së mandateve të vetting-ut.

Madje, të pranishëm në seancën plenare të 10 shkurtit, ishin edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë, si dhe të Ambasadës së Bashkimit Evropian.

Ata vëzhguan procesin e votimit të deputetëve për zgjatjen e mandatit të vetting-ut.

Më herët, ata u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për të votuar “pro” zgjatjes së mandateve të vetting-ut.

Nën argumentin se ky proces është vijim i Reformës në Drejtësi, delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe ajo e Ambasadës së SHBA-ve, kanë kërkuar në daljet e tyre ndryshimet Kushtetuese për vetting-un.

Ndërkombëtarët kanë pasur një rol kyç në gjithë rrugëtimin për votimin pro të ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vetting-ut.

Më datë 15 tetor 2021, PS depozitoi në Kuvend kërkesën për zgjatjen e mandateve të vetting-ut.

Kujtojmë që Këshilli i Legjislacionit, të premten e 21 janarit miratoi ndryshimet kushtetuese për sa i takon zgjatjes së mandatave të organeve të vetting-ut deri në fund të vitit 2024.

Përpara seancës, opozita shprehu hapur votën pro, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim e ka abstenuar procesin, duke votuar vetëm për reformën zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore