Shqipëria

Zgjatet me tre muaj vlefshmëria e certifikatave të kontrollit teknik për të gjitha mjetet rrugore


Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka njoftuar në faqen zyrtare, se me Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) të datës 23 dhjetor 2020-të, zgjatet me tre muaj vlefshmëria e certifikatave të kontrollit teknik (kolaudimi) për të gjitha mjetet rrugore.

Çdo mjet që e ka kryer kolaudimin nga data 31 dhjetor e vitit 2020-të do ta përfitojë këtë shtesë afati.

Të gjitha mjetet rrugore, të reja ose me kilometra, të cilat do të targohen nga e para, nga data 5 janar e vitit 2021, do të pajisen me autorizim të posaçëm deri në rihapjen e shërbimit të kontrollit teknik.

 “Po punojnë për kompletimin e të gjitha përgatitjeve, akteve, përditësimeve informatike e teknike, ndërhyrjeve në infrastrukturat fizike e virtuale për të përmbyllur tranzicionin e kthimit të shërbimit të kontrollit teknik të mjeteve rrugore nga koncesionari tek shteti dhe për rihapjen sa më parë të shërbimit për qytetarët”, ka deklaruar DPSHTRR.

Taksat vjetore të mjeteve duhet të paguhen rregullisht në afatet ekzistuese, pranë drejtorive rajonale e nënzyrave të DPSHTRR-së, ose përmes aplikacionit të e-Albania./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore