Shqipëria

Zgjatet me 6 muaj projekti policor në bashkëpunim me forcat gjermane


Drejtori i Policisë, Ardi Veliu gjatë marrëveshjes së shtyrjes së projektit në bashkëpunim me forcat policore gjermane "ORKA", 19 mars 2021

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, sё bashku me drejtorin e Departamentit për Krimet e Rënda dhe Krimin e Organizuar në Gjermani(BKA) Stefan Michel, si dhe drejtorin e krimeve Stefan Supper, nënshkruan pёrmes njё takimi online, zgjatjen e  marrëveshjes së projektit “ORKA” deri në muajin gusht 2021.

Hartimi i Projektit ORKA dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Partneritetit u realizua në shtator të vitit 2018 dhe u zgjat edhe me një vit në shkurt të vitit 2020.

Bashkёpunimi i Policisё shqiptare, me autoritetet ligjzbatuese gjermane u vendos me qёllimin e shkёmbimit tё informacioneve dhe zhvillimit tё operacioneve tё pёrbashkёta me qёllim luftimin e krimit tё organizuar, trafiqeve tё paligjshme dhe pastrimit tё parave.

Nё funksion tё projektit janё vendosur oficerë ndërlidhës në të dy vendet, përkatësisht në Tiranë dhe në Berlin. Autoritetet gjermane na kanë mbështetur gjithashtu, me asistencë teknike, mjete dhe pajisje. Janë zhvilluar trajnime për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe çdo vit, një përfaqësues i saj shkollohet dhe praktikohet në Gjermani.

Në kuadër të procedimeve penale, vetëm gjatë vitit 2020 janë organizuar edhe finalizuar 7 operacione të përbashkëta, ku janë arrestuar anëtarë të grupeve të strukturuara kriminale në të dy vendet si dhe janë konfiskuar sasi të konsiderueshme lëndë narkotike kokainë e marijuanë, si dhe armë zjarri, municione e para kesh.

Disa prej tyre janё operacionet “ATHOS”, “SAFETY CAR”, “LADINA”, “AGIMI”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore