Lajme

Zëvendëspresidenti turk Oktay: Vendet myslimane të mbajnë një qëndrim të qartë ndaj Gazës


Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, pas faljeve të Namazit të Fitër Bajramit, dha një deklaratë për mediat.

“Vendet myslimane duhet të mbajnë një qëndrim të përbashkët dhe të qartë mbi konfliktin e Izraelit me Hamas-in në Gaza”, tha të enjten e 13 majit Oktay.

Më pas, ai kritikoi fuqitë botërore për dënimin e dhunës pa marrë masa aktive.

“Ka vendime të marra në mënyrë të përsëritur nga Kombet e Bashkuara, ka dënime. Por, fatkeqësisht, pa asnjë rezultat, sepse një qëndrim i qartë nuk shfaqet”, u shpreh ai.

Përgjatë disa ditësh konflikte, Hamas-i ka qëlluar me breshëri raketash drejt qyteteve izraelite. Pas kësaj, Izraeli ka filluar sulme ajrore kundër fraksionit islamik në Rripin e Gazës.

Të paktën 67 njerëz janë vrarë në Gaza, që kur dhuna u përshkallëzua të hënën. Shtatë njerëz janë vrarë në Izrael, thanë zyrtarët mjekësorë.

Me fillimin e konfliktit, që i ngjan luftës në Gaza të vitit 2014, fuqitë botërore kanë kërkuar një ndalje të përshkallëzimit.

Shtetet e Bashkuara thanë se kishin në plan të dërgonin një negociues për bisedime mes Izraelit dhe Palestinës.

Presidenti i Turqisë, Tayyip Erdogan, i cili ka dënuar në mënyrë të përsëritur pushtimin e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe trajtimin e tij ndaj palestinezëve, tha të shtunën se Izraeli ishte një “shtet terror”.

Kjo, pasi policia izraelite qëlloi me plumba gome dhe granata kundër protestuesve palestinezë në xhaminë Al-Aqsa të Jeruzalemit.

“Të gjithë ata, që nuk shfaqin një qëndrim të qartë kundër kësaj, janë palë në këtë përballje”, tha Oktay.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore