Kosova

Zëvendëskryeministri pro-rus i RMV-së akuzon Kurtin për “terror” ndaj serbëve


Ivan Stoilkoviç

Zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie mes Etniteteve në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviç, i cili është i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka akuzuar të dielën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “ushtrim të terrorit” ndaj komunitetit serb në Kosovë.

“Ju heshtni për fushatën e urrejtjes ndaj meje, për shënjestrimin e popullit serb në RMV dhe sikur jeni të interesuar për sjelljen e autoriteteve të Prishtinës që vazhdimisht bëjnë terror ndaj serbëve. E çuditshme, por e pritshme!”, ka thënë Stoilkoviç, raportojnë mediat lokale në RMV.

Stoilkoviç, kryetar i Partisë Demokratike Serbe (DPSM), përveç marrëdhënieve të mira me presidentin serb dhe presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara (SHBA), gëzon gjithashtu marrëdhënie të ngushta edhe me Rusinë.

“Është për keqardhje dhe për çdo dënim shmangia e pyetjeve për intolerancën ndaj serbëve në RMV nga mediat dhe politikanët shqiptarë dhe normalisht nga disa kolegë tuaj, gjunjët e të cilëve janë ende të mavijosur, përkundër se kanë kaluar disa muaj nga rënia e pushtetit BDI-LSDM”.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës do të qëndrojë të hënën në Shkup, ku do ta takojë kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, ndërsa do të jetë i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar. Lideri i VMRO-DMNE-së do ta ketë takimin e parë me një kryeministër pas marrjes së qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore