Sport

Zeqiri, Toma, Domgjoni dhe Berisha nuk mund të luajnë për Kosovën


Andi Zeqiri, Bastien Toma, Mërgim Berisha dhe Toni Domgjoni nuk do të mund të luajnë më për Kosovën, edhe nëse e pranojnë ftesën nga përfaqësuesja dardane.

Kjo pasi rregulli i ri i UEFA-s, thotë se nëse një lojtar në moshën 21 vjeçare luan qoftë edhe për grupmoshat U21 të ndonjë kombëtareje, nuk mund të paraqitet mëpas për një kombëtare tjetër.

Duke ditur se Zeqiri, Toma, Berisha e Domgjoni, kanë nga 21 vjet dhe luajnë për kombëtaren U21 të Zvicrës dhe shteteve tjera, tashmë ka marrë fund mundësia që ata të paraqiten për Kosovën.

Ky vendim bëri që edhe Nedim Bajrami të mos mund të paraqitet për Shqipërinë, pavarësisht se e pranoi ftesën nga Kombëtarja “kuqezi”.

Lajmin për Bajramin e ka konfirmuar gazeta prestigjioze zvicerane “Blick”, ku thotë se FIFA nuk e ka pranuar kërkesën që ai të luajë për Shqipërinë në të ardhmen.

Kështu përfaqësuesja dardane, humb mundësinë që të ketë në skuadër tre futbollistë mjaft cilësorë, dhe me një të ardhme premtuese.

Kujtojmë që futbollistët në fjalë ende nuk kishin luajtur për kombëtaren A të Zvicrës, dhe ishte përfolur shumë që ata do të luajnë për Kosovën.

Gjithsesi, një vendim të prerë zyrtar ende nuk ka, meqë asnjë nga futbollistët e lartpërmendur nuk është se kanë provuar të luajnë për Kosovën.

Por, nëse merret parasysh rregulli i ri i FIFA-s, ata do përballen me vendimin e njëjtë si Nedim Bajrami.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore