Lajme

Zeqiri e Peci deklarohen pas takimit me ambasadorin amerikan


Foto nga arkivi: Momenti i betimit të kryetarëve në Veri.

Pas takimit me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier dhe shefin e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, kryetari i Komunës së Zveçanit, Izmir Zeqiri ka thënë se kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në komunat veriore.

Zeqiri, përmes një komunikate për media në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se qëllimi i tyre është i qartë.

“Që nga dita kur i kemi shpallur kandidaturat për Kryetarë të komunave të Zveçanit dhe të Zubin Potokut, e deri sot, qëllimi dhe synimi ynë ka qenë i qartë: që t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve të komunave tona, pa asnjë dallim, drejtë dhe profesionalisht”.

Ai ka sqaruar se as për ata kjo situatë nuk është e favorshme, duke bërë thirrje për qetësi.

“Natyrisht, situata në të cilën ndodhemi aktualisht, nuk i pëlqen askujt. Prandaj, në këto momente, iu bëjmë thirrje të gjitha palëve për qetësi, sepse dhuna ka qenë dhe mbetet e patolerueshme në proceset demokratike”, ka shkruar Zeqiri.

Ndër të tjera ka pohuar se kjo situatë nuk është në shërbim të mirë për askënd.

“Personalisht, pasi që edhe jetojmë në Zveçan e Zubin Potok, e njohim situatën faktike ne terren dhe e dijmë mundësinë reale për përshkallëzimin e gjendjes. Kjo gjë nuk i shërben askujt, e më së paku qytetarëve, të cilët kanë nevojë për punë dhe progres në komunën tonë”.

Shqetësimin më të madh, Zeqiri ka theksuar se vazhdojnë ta kenë tek eskalimi i situatës.

“Ne duam dhe jemi të gatshëm që këtë punë ta nisim menjëherë. Megjithatë, mundësia e eskalimit të situatës mbetet shqetësimi ynë i madh. Ushtrimi i detyrës tonë si Kryetarë do të duhej të bëhej normalisht, sikur i çdo Kryetari tjetër komune, pa pasur nevojë për mbrojtje policore”.

Ndërsa ka kujtuar se e dinë mirë arsyen se përse janë zgjedhur në pozitën e kryetarëve.

“Jemi zgjedhur nga qytetarët në një proces të lirë dhe demokratik, prandaj, edhe kushtet duhet të krijohen që të qeverisim lirshëm dhe në bashkëpunim me ta. Andaj, ne kërkojmë që sa më parë të kthehet normaliteti, në mënyrë që edhe puna jonë të ketë kuptim”.

“Natyrisht, në arritjen e synimeve të përbashkëta, për punë, zhvillim e normalitet, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe të gjithë hisedarëve relevantë, vendorë e ndërkombëtarë”.

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar kryesisht me serbë etnikë.

Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – është duke u përpjekur për të negociuar me KFOR-in dhe po kërkon që kryetarët e rinj të mos hyjnë në objektet komunale. Gjithashtu, kërkesë e saj është edhe që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet elitare policare nga veriu.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore