Lajme

Zenun Elezaj betohet si kryetar i Klinës


Zenun Elezaj

Zenun Elezaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) edhe zyrtarisht ka marr mandatin e dytë si kryetar i komunës së Klinës.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka treguar se është betuar para anëtarëve të Kuvendit Komunal duke shtuar se është nder dhe përgjegjësi besimi i dhënë për të menaxhuar me komunën.

“Është një nderë i madh, moment krenarie e veçanërisht përgjegjësi e madhe që kam fituar besimin e qytetarëve të komunës më të bukur në Kosovë, Klinës, të cilët i falënderoj për besimin e dhënë e kulturën e lartë qytetare të treguar gjatë fushatës zgjedhore”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se do të jetë i përkushtuar që në katër vitet e ardhshme të menaxhoj me komunën duke realizuar atë çfarë kanë premtuar gjatë fushatës parazgjedhore.

“Në katër vitet e ardhshme, bashkë me ekipin tim, do të punojmë për realizimin e programit dhe premtimeve që kemi paraqitur gjatë fushatës zgjedhore, duke pasur kriter kryesor llogaridhënien, transparencën ndaj qytetarëve”, ka shkruar Elezaj.

Përveç betimit që ka bërë Elezaj, në seancën solemne është bërë edhe betimi i anëtarëve të kuvendit komunal.

Kryesues i kuvendit është zgjedhur Fadil Gashi.

Zenun Elezaj ka arritur të dal i pari me 55.11% ose 7 mijë e 866 vota, ndërsa kundër kandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Esat Raci ka arritur t’i marr vetëm 44.89% ose 6 mijë e 406 vota.

Ndërsa me një dhjetor, Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor për konflikt interesi kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj dhe e ka dënuar të njëjtin me 4 mijë euro gjobë.

Kjo për arsye se Elezaj si Kryetar i Komunës së Klinës gjatë mandatit të parë, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës bazuar në konkursin e publikuar me datë dy shkurt të vitit 2018, për pozitën “Mjek i praktikës së përgjithshme”, ku vajza e tij ka aplikuar në pozitën mjeke e praktikës së përgjithshme në QKMF.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore