Biznes

Zemërim për ‘fitimet e turpshme’ të Shell-it


Raportimi i fitimeve rekord në 115 vjet histori të gjigandit të naftës dhe gazit, Shelll, ka shkaktuar zemërim.

Fitimet e tij vjetore u dyfishuan në një rekord prej afro 40 miliardë dollarësh, të arritura nga një rritje e çmimeve të gazit me shumicë të lidhura me luftën në Ukrainë dhe teksa familjet luftojnë për të paguar faturat e energjisë.

Kompania shënoi fitime prej 9.81 miliardë dollarësh në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, krahasuar me 6.4 miliardë dollarë një vit më parë.

Çka çoi në fitime vjetore prej 39.87 miliardë dollarësh në vitin 2022, duke tejkaluar shumë më tepër se 19.3 miliardë dollarë të shënuar në vitin 2021.

Paul Nowak, sekretari i përgjithshëm i TUC, ka thënë se fitimet janë “të turpshme” dhe “fyerje për familjet që punojnë”.

Rritja e fitimeve të Shell dhe konkurrentëve të saj gjatë vitit 2022 e shtyu qeverinë të vendoste një taksë të papritur për operatorët e Detit të Veriut, e cila më vonë u ashpërsua nga kancelari Jeremy Hunt.

Në tetor, Shell u kritikua kur njoftoi se nuk kishte paguar asnjë taksë mbi fitimet e papritura në Mbretërinë e Bashkuar deri në atë pikë.

Kurse muajin e kaluar ka njoftuar se priste të merrte një goditje prej rreth dy miliardë dollarësh në fitimet e saj për tremujorin e fundit të vitit 2022 si rezultat i taksave të papritura në MB dhe BE.

Sipas Nowak, taksat mbi fitimet e papritura duhet të rriten.

“Teksa familjet lart e poshtë Britanisë luftojnë për të paguar faturat dhe për të përballuar jetesën, Shell po shijon një pasuri parash. Koha për justifikime ka mbaruar. Qeveria duhet të vendosë një taksë më të madhe për kompanitë e energjisë”, ka thënë ai.

Analistët kishin pritur që shefi ekzekutiv i Shell, Wael Sawan, të raportonte fitime prej 7.97 miliardë dollarë për tremujorin e katërt dhe 38.17 miliardë dollarë për vitin.

Kompania ka njoftuar po ashtu katër miliardë dollarë blerje të aksioneve gjatë tre muajve të ardhshëm.

Kompania ka përfituar nga shtrydhja e furnizimeve ndërkombëtare të gazit, e cila filloi në vitin 2021 dhe u përkeqësua nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia vitin e kaluar.

Udhëheqësi i Liberal Demokratëve, Ed Davey, ka theksuar se “asnjë kompani nuk duhet të bëjë këto lloj fitimesh të egra nga pushtimi i paligjshëm i Putin-it në Ukrainë”.

“Rishi Sunak u paralajmërua si kancelar dhe tani si kryeministër se ne kemi nevojë për një taksë të duhur për kompanitë si Shell dhe ai nuk ka arritur të marrë masa”, ka vijuar ai.

Por Shell është akuzuar gjithashtu se ka mbivlerësuar shpenzimet për energjinë e rinovueshme dhe u përball me thirrje këtë javë për t’u hetuar dhe gjobitur potencialisht nga rregullatori financiar i SHBA-ve.

Kompania ka investuar 24,83 miliardë dollarë gjatë vitit 2022, nga 19,69 miliardë dollarë në vitin 2021.

Firma ka shpenzuar 12,3 miliardë dollarë për projektet e naftës dhe gazit, krahasuar me 3,46 miliardë dollarë në sektorin e saj të energjisë së rinovueshme.

Gjithashtu pret të shpenzojë 23 deri në 27 miliardë dollarë gjatë vitit të ardhshëm.

Aktivistja e lartë e Greenpeace në Mbretërinë e Bashkuar për drejtësinë për klimën, Elena Polisano, ka thënë se “udhëheqësit botërorë sapo kanë krijuar një fond të ri për të paguar për humbjen dhe dëmin e shkaktuar nga kriza klimatike”.

Sipas saj, tani ata duhet të detyrojnë mega-ndotësit historikë si Shell të paguajnë për të.

“Është koha që ndotësit të paguajnë. Nëse ata do ta kishin drejtuar biznesin e tyre dhe do të largoheshin më shpejt nga karburantet fosile, ne nuk do të ishim në një krizë kaq të thellë. Është koha që ata të ndalojnë shpimet dhe të fillojnë të paguajnë”, ka theksuar ajo.

Kurse Jonathan Noronha-Gant, aktivist i lartë në Global Witness, ka thënë se “njerëzit kanë çdo të drejtë të zemërohen me fitimet e mëdha që Shell ka bërë në mes të një krize të përballueshmërisë së energjisë që ka shtyrë miliona familje në varfëri”.

Sipas tij, fitimet e Shell-it janë fyerje. “Shell është më i pasur sepse ne jemi më të varfër”, ka shtuar ai.

Shell raporton fitime rekord në 115 vjet

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore