Lajme

Zemaj: Qeveria vazhdon ofendimin me lëmoshë ndaj mantelbardhëve


Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ish ministri i Shëndetësisë, tashmë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e mjeteve shtesë për dy muaj për punëtorët shëndetësorë.

Sipas tij, dinjiteti i mantelbardhëve nuk shitet e as nuk blihet.

“Qeveria vazhdon ofendimin me lëmoshë ndaj mantelbardhëve, respektivisht heronjve të kohës, të cilët me vetëmohim po vazhdojnë luftën me armikun global Covid-19”.

Ndërsa, Zemaj tha se kjo qeveri ka treguar edhe një herë mungesë të përkrahjes ndaj stafit shëndetësor.

“Pra, kjo qeveri e dëshmoi edhe një herë mungesën e dijes dhe vullnetit për përkrahje të merituar të stafit shëndetësor në vend, duke vazhduar ofendimin me lëmosh të caktuar në emër të shtesës prej 10 për qind”, ka thënë ai në reagimin e bërë në Facebook.

Protesta e Federatë së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës

Pas raportimit për mungesë masive të ilaçeve të shtrenjta kundër kancerit, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës ka ndarë 2.5 milionë euro shtesë për blerjen e barnave esenciale.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se “qeveria e sheh shqetësuese mungesën e vazhdueshme të barnave, ndërsa në total janë ndarë nga kjo qeveri rreth 30 milionë euro”.

Përveç kësaj, Qeveria po ashtu ka vendosur që të vazhdoj shtesat prej 10 për qind të pagës për stafin shëndetësor.

Në protestë janë hedhur metilet e punëtorëve shëndetësorë.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe pagesa shtesë neto prej 10 për qind të pagës, por jo më pak se 60 euro për punonjësit shëndetësor të sektorit publik për muajt nëntor dhe dhjetor.

Më 8 nëntor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, të cilët kërkojnë rregullimin e gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari i vitit 2022.

Kryetari i kësaj federate, Blerim Syla, ka kërkuar nga Qeveria që të jetë transparente dhe bashkëpunuese në përpilimin e draftit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik.

Ai njoftoi se vetëm në tetë muajt e parë të këtij viti kanë ikur 122 mjek, mosha mesatare e të cilëve është 31 vjeç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore