Lajme

Zemaj për masat e Qeverisë: Të kopjuara keq dhe në kundërshtim me njëra tjetrën (VIDEO)


Armend Zemaj ne interviste per Albanian Post

Masat e reja anti-COVID’19 të Qeverisë së Kosovës që e shtrëngojnë edhe më shumë situatën brenda duke rritur orën policore e rënduar gastronominë në vend, janë të dëmshme dhe të paqarta, ka thënë Armend Zemaj, ish-ministër i Shëndetësisë, në një intervistë për Albanian Post.

“Këto masa janë të kopjuara keq, në mënyrë lineare janë në kundërshtim me njëra tjetrën dhe nuk janë efektive, ky është shqetësimi jonë”, ka deklaruar Zemaj.

Ideja e masave, siç thotë ai, është “ta menaxhojmë mirë pandeminë dhe mos të kemi rezultate negative dhe në fund të fundit të mos kemi humbje të jetëve të njerëzve”, porse masat e Qeverisë nuk sigurojnë këto rezultate.

“Kjo qeveri dhe ky menaxhim e ka rënduar shumë situatën në republikën e Kosovës”, shton ai.

Masat e fundit të Qeverisë, sidomos në raport me shtetasit e huaj, të cilëve ju kërkohet doza e tretë e vaksinës, ose dy doza dhe testi PCR, kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha.

Shqiptarët nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës e Shqipëria, e kanë gjetur vetën në vështirësi të mëdha, kur thuajse pa paralajmërim u është ndaluar të futën në Kosovë.

Ka shumë shqiptarë jashtë Kosovës që studiojnë e punojnë në Kosovë dhe të gjithë ata do ta kenë të pamundur të futen, meqë me dozën e tretë ka shumë pak të vaksinuar ndërsa testi PCR, që kërkohet të jetë jo më i vjetër se 48 orë, është tejet i kushtueshëm.

Masat e qeveris janë para si shumë të çuditshme edhe për faktin se ato bien ndesh me rekomandimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe praktikat e shteteve perëndimore.

Vende si Britania e Madhe për shembull kanë hequr pothuajse të gjitha kufizimet, duke lejuar edhe grumbullimin e njerëzve dhe mos obligimin e distancimit social.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore