Lajme

Zelensky zhvillon bisedë telefonike me Xi Jinping


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky-i zhvilloi të mërkurën e 26 prillit një bisedë telefonike me udhëheqësin e Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping.

Lajmi u bë i ditur nga Zelensky në Twitter dhe nga zëdhënësi i tij, Serhiy Nikiforov në Facebook.

“Kam pasur një bisedë telefonike të gjatë dhe domethënëse me Presidentin e Kinës, Xi Jinping. Besoj se kjo thirrje, si dhe emërimi i ambasadorit të Ukrainës në Republikën Popullore të Kinës, do t’i japë një shtysë të fuqishme zhvillimit të marrëdhënieve tona dypalëshe”, theksoi kreu i shtetit.

Zëdhënësi i Presidentit të Ukrainës raportoi se Zelensky pati një bisedë telefonike gati një orëshe me Presidentin e Republikës Popullore të Kinës.

Presidenti kinez Xi Jinping i tha presidentit ukrainas se Kina “ka qëndruar gjithmonë në anën e paqes”, njoftuan mediat shtetërore të mërkurën.

“Për çështjen e krizës në Ukrainë, Kina ka qëndruar gjithmonë në anën e paqes dhe pozicioni i saj thelbësor është të promovojë bisedimet e paqes”, raportoi CCTV të ketë thënë Xi gjatë telefonatës.

Më 16 mars, Ministri i Punëve të Jashtme Dmytro Kuleba njoftoi se kishte diskutuar me kolegun e tij kinez Qin Gan parimet mbi të cilat mund të rivendoset paqja në Ukrainë.

Më 20-22 mars, Xi Jinping zhvilloi një vizitë zyrtare në Rusi, ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin.

Më herët u raportua se lideri i Kinës ka në plan të bisedojë me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky pas takimit me Putin-in në Moskë.

Kjo bisedë është e para që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës.

Më 24 shkurt, Zelensky-i tha se do të dëshironte të zhvillonte një takim dypalësh me udhëheqësin kinez Xi Jinping.

Para kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme kineze publikoi të ashtuquajturin “plan paqeje” me idetë e saj në lidhje me zgjidhjen e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Dokumenti përbëhet nga 12 pika. Zelensky nuk e konsideron propozimin e Kinës për zgjidhjen e luftës në Ukrainë si një plan paqeje, por sheh gjëra pozitive në iniciativë.

Plani kinez i paqes për Ukrainën: Pse SHBA-të dhe Perëndimi nuk janë të bindur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore