Lajme

Zelensky nga seanca e Jashtëzakonshme e PE-së: Na tregoni se jeni me ne, anëtarësoni Ukrainën


“Së bashku me Ukrainën, Bashkimi Evropian do të jetë më i fortë”.

Ka qenë ky mesazhi i përcjellë nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë një lidhjeje direkte me Parlamentin Evropian, në seancën e Jashtëzakonshme plenare të Parlamentit Evropian.

“Ne duam të jemi anëtarë të barabartë të BE-së. Edhe ne jemi evropianë, na tregoni që jeni me ne”, tha ai.

Në këtë mënyrë, ai ka kërkuar edhe një herë që Ukraina të jetë pjesë e unionit.

Duke bërë një panoramë edhe të 1 marsit, ai tha se “mëngjesi i sotëm ishte i vështirë nga sulmet ruse në disa qytete”.

“Sot ka qenë një ditë tjetër tragjike për ne dhe është tepër e madhe”, u shpreh ai.

Presidenti ravijëzoi se dy sulme goditën një nga sheshet më të mëdha të qytetit, atë që për ironi të fatit, mbante emrin “Sheshi i Lirisë”.

“Ata vranë 16 fëmijë dhe, sërish, Putin thotë se po kryejmë një operacion special”.

Ai shtoi se qëndresa do të rezistojë, sepse populli i Ukrainës po lufton për tokën e tij, për lirinë dhe jo vetëm.

Ukrainasit, tha Zelensky, tashmë po luftojnë për ekzistencën.

“Askush nuk do të hyjë e të ndërhyjë për lirinë dhe vendin tonë. Askush nuk do të na thyejë. Ne jemi të fortë. Ne jemi ukrainas”, tha ai.

Gjithashtu i bëri thirrje PE-së që të ndihmojnë jo vetëm duke u thënë “mirëmëngjesi, mirëdita apo mirëmbrëma”.

Në përmbyllje, Zelensky tha se “nuk mundem, sepse çdo ditë për dikë mund të jetë dita e fundit! Unë flas për qytetarët e mi që po e mbrojnë lirinë me çmim të lartë”.

“Ne jemi saktësisht të njëjtë me ju. Pra, provoni se jeni me ne. Provoni se jeni vërtet evropianë dhe atëherë jeta do të fitojë mbi vdekjen dhe drita do të fitojë mbi errësirën. Lavdi i qoftë Ukrainës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore