Lajme

Zelensky i kërkon edhe nga Franca e Gjermania avionët luftarakë


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje edhe dy prej vendeve kryesore të bashkësisë evropiane, Francës dhe Gjermanisë, për të furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë të prodhimit të tyre.

E gjitha, pasi ai i bëri thirrje ligjvënësve britanikë, të bëjnë të njëjtën gjë, ku mori edhe një fjalë të mirë prej tyre, se rrethanat mund ta lejonin dërgimin afatgjatë të mjeteve të rënda luftarake në Kiev.

Si nga pala franceze, ashtu edhe nga ajo gjermane, shqetësimi më i madh lidhet me moslejimin e Rusisë për ta fituar luftën, e cila nuk i përket më thjesht Ukrainës tashmë, por gjithë botës perëndimore.

Emmanuel Macron, kreu i Elysee-së, e ka bërë të qartë prej kohësh qëllimin e mbështetjes së pakushtëzuar të Zelenskyt në misionin e ndërmarrë dhe mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë francezë Raffale, nuk e ka hequr nga lista dëshirave të Kievit.

Nga ana tjetër, më rezistent është kancelari gjerman, Olaf Scholz, lidhur me çështjen, ku edhe për dërgimin e tankeve Leopard, pati kundërshti paraprake, deri në çastin kur dërgesat filluan nga një aleancë vendesh.

Pritet gjithashtu që Zelensky të ketë edhe kërkesa të tjera, të cilat do t’i shpalosë në Bruksel, ku do të takojë edhe liderë të Bashkimit Evropian, në një vizitë të paralajmëruar.

Takimin e parë e pati me Macron dhe Scholz, ku gjatë një konference për shtyp mbrëmjen e të martës, theksoi potencialin e dy superfuqive evropiane, për të ndryshuar gjithë rrjedhën e lojës.

Pavarësisht kësaj, një kohë shumë e shkurtër është në dispozitë të gjithë vendeve.

Vetë Macron, shtoi se Ukraina mund të mbështetet plotësisht te Parisi, pasi ky i fundit është i vendosur për të ndihmuar Ukrainën (dhe gjithë botën perëndimore) të mposhtë agresionin rus.

Scholz nga ana tjetër, qëndrimin e ka disi më hermetik, por të linjëzuar: Rusia luftën nuk duhet ta fitojë.

Teksa diskutimet mbi avionë luftarakë vijojnë, tanket e para nga partia prej mbi 160 të tillësh ka mbërritur në Kiev, ku trajnimet e ushtarëve ukrainas kanë nisur po ashtu, me direktiva të forcave të armatosura britanike, franceze, gjermane dhe amerikane.

Ndërsa, me liderët e tjerë evropianë, duhet parë në çfarë akordi arrihet, parë edhe sasinë e limituar të avionëve ushtarakë që ata kanë në gjendje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore