Lajme

Zelenska: Fitorja nuk është e vetmja gjë që na duhet, kemi nevojë për drejtësi


Në Westminster, Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska, u është drejtuar deputetëve të Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas saj, ukrainasit po kalojnë një terror të ngjashëm me atë të përjetuar nga Mbretëria e Bashkuar në Luftën e Dytë Botërore, kur Gjermania naziste bombardoi qytetet.

“Fitorja nuk është e vetmja gjë që na nevojitet, kemi nevojë për drejtësi”, ka thënë Zelenska, duke shtuar se “kjo do të çojë në fundin e luftës”.

Po ashtu ka theksuar se do të kishte qenë e pamundur që njerëzit e qyteteve të bombarduara britanike të pranonin që përgjegjësit të mos merrnin drejtësi.

Për të, populli ukrainas i prekur nga sulmet e Rusisë meriton të njëjtën drejtësi.

Ajo u ka thënë deputetëve se komuniteti botëror duhet të bashkohet, ashtu siç bëri në janar 1942, për të mbështetur një gjykatë speciale kundër agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Po ju kërkoj një favor të vogël për t’u bërë lider botëror në përpjekjet për drejtësi”, ka thënë ajo.

Dhe se kjo drejtësia nuk është e nevojshme vetëm për Ukrainën, por që bota të mund të udhëhiqet jo me sundimin e forcës.

“Kemi nevojë për drejtësi në mënyrë që bota të mbijetojë”, ka vijuar Zelenska.

Si pjesë e fjalimit, ajo u tregoi deputetëve dhe kolegëve fotografi që shfaqnin ndikimin e sulmeve ruse.

Ajo tregoi për zbulimet e bëra nga forcat ukrainase në zonat e rimarra nga kontrolli rus, duke përfshirë ato që ajo i përshkroi si dhoma torture.

Këtë, duke e quajtur abuzim sistematik ndaj fëmijëve dhe të moshuarve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore