Sport

Zbulohet oferta që Milan-i do ta bëjë në drejtim të Chelsea-t për Ziyech


Hakim Ziyech mbetet një nga objektivat kryesore të Milan-it që nga afati i fundit kalimtar veror.

Kuqezinjtë tentuan ta afronin marokenin edhe në verë, por marrëveshja mes klubeve nuk u arrit.

Kampionët e Italisë do të kërkojnë transferimin e anësorit të Chelsea-t në afatin kalimtar të dimrit, derisa mediat italiane zbulojnë ofertën që kuqezinjtë do t’ia paraqesin bluve të Londrës.

Sipas asaj që shkruan “La Gazetta dello Sport”, drejtuesit e Milan-it do të tentojnë ta transferojnë Ziyech-un pak a shumë me një skenar të ngjashëm sikurse me Fikay Tomori-n, që po ashtu e transferuan nga Chelsea.

Mediumi i lartcekur shkruan që Milan-i do të kërkojë huazimin e 29-vjeçarit, me opsion blerje në fundt të sezonit për një shifër që kap shumën mes 15 deri në 20 milionë euro.

Sa i përket pagës së futbollistit, ai momentalisht te Chelsea fiton 6 milionë euro në sezon, ndërsa në Milan do të marrë rreth 4.5 milionë euro neto.

Pra, një sakrifikim prej mbi 1 milion euro, por te Milan-i do ta ketë vendin e sigurtë në krahun e djathtë – pozicion ky që Milan-i është duke vuajtur në kohët e fundit.

Pra, mbetet të shihet se cilat do të jenë lëvizjet e radhës për transferimin e futbollistit që po shkëlqen në Botëror.

Flitet kohët e fundit që Ziyech e dëshiron me çdo kusht largimin nga Chelsea gjatë dimrit, pasi që ai nuk po arrin ta bindë trajnerin Graham Potter që t’ia rezervojë një vend në formacionin titullar.

Ziyech luajti vetëm nëntë ndeshje në të gjitha garat në këtë sezon me fanellën e Chelsea-t, ku shumica prej tyre ishin nga banka rezervë, derisa nuk ka arritur të lërë gjurmë me ndonjë gol apo asistim.

Kujtojmë që Chelsea shpenzoi 40 milionë euro për ta transferuar atë nga Ajax-i në verën e vitit 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore