Lajme

Zbulohet miniera më e madhe në Evropë me metale të rralla


Kompania shtetërore suedeze e minierave “LKAB” njoftoi të enjten se kishte identifikuar burime minerale prej më shumë se një milion ton oksidesh të rralla të tokës në zonën e Kiruna-s, depozitimi më i madh i njohur i tillë në Evropë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Mineralet e rralla të tokës janë thelbësore për shumë procese prodhimi të teknologjisë së lartë.

Ato përdoren në automjete elektrike, turbina me erë, elektronikë portative dhe mikrofona dhe altoparlantë.

“Ky është një lajm i mirë, jo vetëm për LKAB-in, rajonin dhe popullin suedez, por edhe për Evropën dhe klimën”, tha në një deklaratë CEO i LKAB-it, Jan Mostrom. “Ai mund të bëhet një bllok i rëndësishëm ndërtimi për prodhimin e lëndëve të para kritike që janë absolutisht thelbësore për të mundësuar tranzicionin e gjelbër”.

Elementet e rralla të tokës aktualisht nuk minohen në Evropë, duke e lënë rajonin në varësi të importeve nga gjetkë.

Kjo, ndërsa kërkesa pritet të rritet në vitet e ardhshme për shkak të rritjes së prodhimit të automjeteve elektrike dhe energjisë së rinovueshme.

“Elektrifikimi, vetë-mjaftueshmëria dhe pavarësia e BE-së nga Rusia dhe Kina do të fillojnë në minierë”, tha në deklaratë ministrja për Energjinë, Biznesin dhe Industrinë Ebba Busch.

Suedia aktualisht mban presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian i konsideron tokat e rralla si ndër burimet më kritike për rajonin.

Shumica dërrmuese e tokave të rralla aktualisht minohen në Kinë.

Megjithatë, rruga për nxjerrjen e depozitave në Suedi është e gjatë.

LKAB tha se planifikonte të paraqiste një aplikim për një koncesion shfrytëzimi në vitin 2023, por shtoi se do të duheshin të paktën 10-15 vjet përpara se të mund të fillonte potencialisht nxjerrjen e depozitës dhe dërgimin në treg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore