Shqipëria

Zbulohet maketi i Portit të ri të Durrësit nga firma Emaar Group


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka postuar në Facebook, të hënën e 21 qershorit, një maket të Portit të ri në Durrës që është zbuluar nga firma Emaar Group në Dubai.

Më herët në Twitter edhe Drejtori i Përgjithshëm i Portit të Durrësit, Pirro Vengu ka postuar maketin në miniaturë me transformimin që do e pasojë.

Projekti i Emaar Group

“Porti i Durrësit do të jetë Dubai i Mesdheut”.

Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi elektoral në qytetin bregdetar, ku pritet të marrë jetë projekti i madh i portit turistik.

“Do të jetë më i madhi në Mesdhe”, premtoi Rama. “Dhjetëra profesione të reja do të hapen falë tij”.

Sipas kryeministrit, njerëzit më të pasur në botë do të ankorojnë jahtet e tyre në Durrës. Për shkak të kësaj, ata do të kërkojnë edhe shërbime luksi.

Për këto shërbime, stafet duhen trajnuar. Mbi të gjitha, të rinjtë durrsakë dhe të gjithë Shqipërisë.

Kompania Emaar, implementuese e projektit, do të kryejë një investim prej 2 miliardë eurosh në portin e ri të Durrësit.

Mohamed Alabbar

“Për të ndërtuar portin më të madh në Detin Adriatik, në Durrës, me mbi 12 mijë apartamente, hotele, restorante e dyqane, për mua është si të kem një ëndërr”.

Kështu shprehej kreu i kompanisë EMAAR, sheiku Mohamed Alabbar, në një intervistë për Agjencinë Ndërkombëtare të Lajmeve CNN të zhvilluar në maj.

Porti i Durrësit është një projekt me hapësirë prej 800 mijë metër katrorësh, ku përfshin një tërësi objektesh, apartamente, hotele dhe zyra. Sipas Sheik-ut, ky model nga Emiratet e Bashkuara, përveç se në Dubai, është realizuar dhe në vende të tjera të botës.

“E kam realizuar në shumë vende, por i fundit ishte në Serbi, ku morëm përsipër stacionin e trenit dhe bëra të njëjtën gjë”, tha Alabbar.

Gjithashtu ai e cilësoi këtë investim të Portit të Durrësit si “fronti i dytë në Evropën e re”, pasi sipas tij, sjell rritje ekonomike “mbresëlënëse” dhe të fuqisë punëtore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore