Sport

Zbulohet kontrata e De Jong me Barcelona-n, pagesat dhe shpërblimet


Frenike de Jong duket gjithnjë më larg Barcelona-s. Katalanasit po negociojnë me Manchester United për transferimin e holandezit në “Old Trafford”.

Edhe pse Barcelona-n në pamje të parë duket sikur nuk e dëshiron largimin e mesfushorit, në krahun tjetër ata janë të “lumtur” nëse ndodh.

Largimi i De Jong nuk është çështje sportive, por ekonomike. E përditshmja spanjolle “Marca” ka zbuluar kontratën e holandezit me klubin katalanas.

25-vjeçari ka edhe katër vite kontratë në “Camp Nou”. E thënë në aspektin ekonomik, për këtë periudhë Barcelona do të duhet t’i jap atij 88.58 milionë euro. Përfshihet paga dhe bonuset.

Nëse De Jong aktivizohet në 60 për qind të ndeshjeve në sezon ka bonus në vlerën e 2 milionë eurove ose në total 8 milionë, për katër sezonet e mbetura në kontratë.

Bonusi për trofe të fituar arrin maksimumin në 12.8 milionë euro, ose 3.2 milionë në sezon. Këtu përfshihet dhe arritja në finalen e Champions League.

Fillimisht paga fikse e lojtarit ishte përcaktuar 14 milionë euro, kur ai nënshkroi në vitin 2019. Për shkak të pandemisë ajo u ul, por do të rikuperohet në vijim.

Sezonin e kaluar holandezi përfitoi 9 milionë euro në sezon, si pagë fikse. Sezonin e ardhshëm duhet të marrë dyfishin e kësaj shume.

Kontrata ka të përfshirë edhe bonusin e besnikerisë, i cili kap vlerën e 15.58 milionë eurove.

Sezonin e ardhshem, De Jong mund të përfitojë deri në 27.7 milionë euro neto, si page fikse dhe bonuse.

Kjo është pjesërisht arsyeja pse Barcelona dëshiron ta shesë lojtarin. Ata kanë ende probleme me tavanin e pagave dhe nuk mund të regjistrojnë lojtarë të nivelit të lartë që kërkojnë paga të majme.

Për më tepër, De Jong është një nga lojtarët me vlerën më të madhe në treg. Barcelona dëshiron të përfitojë së paku 80 milionë euro prej tij. United është ndaluar në 60 milionë, plus 20 milionë bonuse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore