Shqipëria

Zbulohet fokusi i takimit të parë mes KE-së dhe Shqipërisë


Fokusi i takimit të parë mes Komisionit Evropian dhe ekipit negociues shqiptar ishte Prokurimi Publik.

Lajmi u bë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit pranë KE-së.

Kujtojmë që të enjten e 15 shtatorit u zhvillua takimi i parë në kuadër të procesit të screening-ut.

“Është thelbësore të sigurohet që fondet publike të përdoren në mënyrë transparente dhe efektive për të arritur ofrimin më të mirë të shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset”, shkruan agjencia evropiane në njoftimin e saj zyrtar.

Sipas institucionit, dita e sotme ishte një moment historik i rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Komisioni Evropian vazhdon shqyrtimin – faza e parë në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE – dhe mirëpriti kryenegociatorët MajlindaDhuka dhe Bojan Marichikj.

Më herët, zëdhënësja për shtyp e BE-së, Ana Pisonero deklaroi për Albanian Post se ky është një “hap i parë” dhe domethënës.

Kjo, në procesin e negociatave e mbështetur plotësisht nga qeveritë dhe parlamentet përkatëse.

“Komisioni është plotësisht i përkushtuar për të ecur përpara në negociatat e anëtarësimit si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut dhe ka filluar ushtrimin e rëndësishëm të shqyrtimit me të dyja vendet”.

Kështu, gjatë muajve të ardhshëm, për të dyja vendet do të ketë një program pune shumë intensiv, duke filluar nga bazat.

Pisonero shpjegoi se ekzaminimi do t’i mundësojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të njihen me të drejtat dhe detyrimet e Bashkimit Evropian dhe të mundësojë identifikimin e çështjeve dhe fushave ku duhet të intensifikohen përgatitjet.

Dhe i gjithë ky proces i shqyrtimit pritet të zgjasë rreth një vit.

Pasi të ketë përfunduar procesi i shqyrtimit, grupi për fushat themelore do të hapet i pari dhe do të mbyllet i fundit, siç parashikohet në metodologjinë e rishikuar.

“BE-ja do të mbështesë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që të përgatiten për marrjen e detyrimeve të tyre si shtete anëtare të Bashkimit Evropian gjatë gjithë negociatave”, vërejti Pisonero.

Konferencat e para Ndërqeveritare që hapin procesin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë u zhvilluan më 19 korrik.

Kjo, pas miratimit nga Këshilli të Kornizave përkatëse të Negocimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore