Lajme

Zbulohet autori i ngjarjes në Berlin, çfarë shkruhej në letrën e gjetur në makinën e tij


Për ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të mërkurë të 8 qershorit në Berlin, Gjermani, kanë dalë detaje të reja.

Në të, një person ka humbur jetën dhe të paktën një duzinë kanë mbetur të plagosur pasi një automjet ka përplasur turmën pranë një kishe.

Mes tyre, pesë janë në rrezik për jetën.

Sipas një zëdhënësi të Brigadës së Zjarrfikësve të Berlinit, një automjet goditi njerëzit jashtë Kishës Memorial Kaiser Wilhelm.

Brigada u njoftua për incidentin rreth orës 10:30 të mëngjesit me orën lokale.

Sakaq, nga autoritetet vendase është bërë me dije se drejtuesi i makinës tip Renault është arrestuar pas një tentative të shkurtër arratisjeje.

Sipas raportimeve të “Bild”-it, ai është një armen 29-vjeçar, i njohur në polici për krime pronësie.

Në makinën që drejtohej nga i riu është gjetur një letër rrëfimi, por ende nuk dihet motivi.

Po ashtu janë gjetur postera që përmbanin “opinione në lidhje me Turqinë”, sipas ministres së Brendshme Iris Spranger.

Aksidenti dyshohet se ndodhi në kryqëzimin e Rankestrasse dhe Tauentzienstrasse.

Breitscheidplatz është vendi ku në dhjetor të vitit 2016, terroristi Anis Amri rrëmbeu një kamion duke e bërë atë të futej në turmën që po vizitonte tregun e Krishtlindjeve dhe duke vrarë dymbëdhjetë njerëz.

Ende nuk dihet nëse ngjarja është thjesht aksident apo e qëllimshme.

Fillimisht u fol për 30 të plagosur. Por më pas shifra u korrigjua për më pak të tillë.

Megjithatë, rreziku i një numri më serioz të vdekjeve mbetet.

Kryetarja e bashkisë së Berlinit, Franziska Giffey, ka thënë se ishte “e tronditur nga ajo që ndodhi’, duke shprehur ngushëllimet e saj për viktimat dhe familjet e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore