Tregjet

Zbrazëtia e tregjeve të ngopura


Teksa gjendesh te Tregu Çam, panorama që të shfaqet është ajo e dallimit të madh mes tezgave të tejmbushura dhe rrugicave të zbrazëta.

Duke u përpjekur të kuptosh më shumë për qetësinë e pazakontë të tregut në një ditë që supozohet të ishte e zhurmshme, ndeshesh me fytyrat e vakëta të tregtarëve të cilët duket sikur luten të jesh blerës i mallrave të tyre.

Sytë e tregtarëve janë ngjashëm si vetë tregjet. Ata nuk arrijnë dot të pasqyrojnë kurrgjë tjetër përveç zbrazëtisë. Edhe pse ndeshen me tezgat e tejmbushura të rrobave, përsëri tërhiqen nga rrugicat pa njerëz.

Duart e tyre po ashtu janë të fjetura, nuk përcjellin lëvizje. Ato të sinjalizojnë se blerësit mungojnë.

Pamja që tregtarët të ofrojnë pasohet nga zëri i tyre i vakët, i cili arrin të thotë vetëm fjalën “mbijetesë”. Teksa i pyet për gjendjen ku ndodhen, tregtarët nisin të tregojnë për vështirësitë.

Pjesa më e madhe e tyre pohojnë pa kursyer se mezi përballojnë shpenzimet. Qiranë herë e paguajnë në kohë e herë të tjera e lënë në pritje, me shpresën se në një tjetër moment do të munden ta shlyejnë.

Tezgat janë përplot me rroba të cilat tregtarët i vërejnë dhe blerësit nuk i blejnë. Dhe arsyetimi që tregtarët i bëjnë situatës së rëndë lidhet ngushtë me pandeminë.

Që prej nisjes së pandemisë, blerësit janë kthyer në apatikë. Ata ngurojnë të blejnë. Edhe ata pak që kalojnë afër tezgave nuk tregojnë interes për të blerë.

Si shpjegohet ky fenomen nga ekspertët e fushës?

Presidenti i Universitetit të Tiranës dhe eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, e sheh situatën në një tjetër këndvështrim.

Xhepa, në një prononcim për Albanian Post, e quan “befasuese dhe të çuditshme” zbrazëtinë e tregjeve në qytetin e Tiranës.

Ai shpjegon se në një situatë ekonomike të rënduar nga pandemia, supozohet që tregjet të marrin vëmendje më të madhe prej njerëzve pasi mallrat që shiten në to kanë vlera më të ulëta dhe më të përballueshme nga qytetarët.

Nga ana tjetër, Xhepa shpjegon se tregtarët e këtyre tregjeve janë më “vulnerabël” pasi janë të parët që e ndjejnë rënien e fuqisë blerëse.

Sipas tij, tregtarët e tregjeve jetojnë me xhiron që bëjnë gjatë ditës dhe nuk kanë gjëndje të ardhurash me të cilat mund të kalojnë më me lehtësi situatën e ndikuar nga pandemia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore