Shqipëria

Zbarkim mes miqsh edhe pas 30 vitesh


Presidenti i Rajonit të Puglia-s, Michele, i dha mirëseardhjen kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët, në kuadër të 30-vjetorit të emigracionit dhe zbarkimit të shqiptarëve në Puglia.

Emiliano e cilësoi këtë konferencë si një impenjim dhe betim të besnikërisë ndaj ligjeve jo të shkruara të miqësisë së çmuar, midis Italisë, Shqipërisë dhe Puglia-s.

Ministri i Jashtëm Italian, Luigi Di Maio, gjatë fjalës së tij kujtoi imazhin e zbarkimit të shqiptarëve në Puglia, kujtoi mikpritjen e italianëve, si dhe bashkëpunimin e ngushtë midis dy popujve në këto 30 vite.

“Jemi këtu për të kujtuar një ngjarje të rëndësishme, ardhjen e parë të miqve shqiptarë këtu në Puglia që erdhën këtu 30 vite më parë, pikërisht në këto ditë. Të gjithë italianët ruajnë në memorie imazhet e atyre personave të ngjeshur me mijëra në anijet e fatit”.

“Për shumë shqiptarë, Italia do të thoshte liri dhe shpresë për një jetë më të mirë. Nuk e dimë me saktësi se sa shqiptarë mbërritën në brigjet e Puglia-s në muajt dramatikë të vitit 1991. Sigurisht mbërritën disa dhjetëra mijëra. Vetëm anija ‘Vlora’, që u ankorua në portin e Barit në gushtin e 1991-t, transportonte 20 mijë persona”, tha Di Maio gjatë fjalimit të tij.

Rama tha se ndihej i prekur nga kjo pritje.

“Ndihem i lumtur dhe i nderuar që jam midis dy shqiptarëve më të mirë ndër italianët. I jeni gjendur afër Shqipërisë jo kur ka diell dhe deti është i qetë, por dhe në çaste të vështira që vënë në dukje miqësinë e vërtetë”.

Rama kujtoi eksodin e shqiptarëve 30 vite më parë.

“Kjo periudhë e historisë sonë nuk do të harrohet kurrë nga gjeneratat e ardhshme”, pohoi kreu i qeverisë.

“Pavarësisht ngjyrave politike, nuk ka pasur kurrë një ngjyrë tjetër, përveç ngjyrës së dashurisë dhe miqësisë midis vendeve në 30 vjet”.

Kryeministri falënderoi veçanërisht ministrin e Jashtëm italian dhe presidentin e rajonit të Puglia-s për ndihmën dhe mbështetjen kur vendi u trondit nga tërmeti.

“Dua të falënderoj edhe për atë që Luigi dhe që Michele bënë, kur Shqipëria u godit nga një tërmet i tmerrshëm. Italia ishte aty, me zjarrfikësit e tyre dhe me praninë si në territorin tonë, si në atë evropian, për të nderuar gjithë fjalët e bukura të thëna në këto 30 vjet. Se Shqipëria është Evropë dhe që për Italinë, Shqipëria, është e njëjta gjë në anën tjetër të detit”.

“Luigi është bërë avokati më i madh i popullit shqiptar në një çast të errët. Gjatë gjithë rrugëtimit të tij, ka qenë me të vërtetë një mik me pesë yje. Shpresoj që ne të jemi në lartësinë e kësaj miqësie. Shpresoj të mos keni nevojë për ne, por nëse do të keni, do të jemi aty, kah jush”, shtoi kryeministri.

Në fjalën e tij, Rama përmendi se janë gjysmë milionë shqiptarë që kontribuojnë në ekonominë italiane, si dhe 50 mijë që japin kontribute dhe gjithashtu janë mijëra studentë shqiptarë që studiojnë në Itali.

Ndër të tjera, Rama i kërkoi ministrit të Jashtëm njohjen e patentave shqiptare, duke thënë se patentat kanë mbetur në korridoret e burokracisë italiane.

“Nuk dua të shtoj gjë tjetër, por duke qenë se këtu ka vetëm gazetarë dhe jam bombarduar javët e fundit dhe mund të dënohem për këtë thyerje protokolli, po i kërkoj Luigit të kujdeset për patentat e shqiptarëve sepse kanë mbetur në korridoret e burokracisë italiane, sepse ndryshe mund të bëhemi si napolitanët, që i japin pa patentë”, përmbylli Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore