Shqipëria

Zbardhet Veriu dhe Verilindja e Shqipërisë


Reshjet e shiut kanë përfshirë një pjesë të vendit, ndërsa zonat e veriut dhe verilindjes në Shqipëri sot me datë 27 dhjetor, janë mbuluar nga reshjet e borës, ku nuk është krijuar ndonjë problem përsa i përket qarkullimit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), ka njoftuar përmes medias sociale Facebook, ku bëri të ditur se kalimi në të gjitha akset rrugore vijon pa problem, ndërsa ka bërë apel për shoferët që të kenë kujdes.

Reshjet e borës gjatë natës, kanë rënë në zonën e Mbishkodrës, Pukë dhe Malësi e Madhe. Intensitet të lartë të reshjeve ka pasur në zonat si: Iballë, Tamarë dhe Theth.

Në segmentin rrugor Pukë-Fushë Arrëz-Kukës, Bulqizë-Peshkopi, bora është pastruar dhe qarkullimi vazhdon normalisht dhe pa zinxhirë.

Sipas njoftimit të ARRSH-së, mësohet se mjetet dhe makinat borëpastruese kanë punuar gjatë gjithë segmentit rrugor nga Kalimashi në Morinë, për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës.

Pushteti lokal, policia rrugore dhe mirëmbajtësit e rrugëve, janë në gadishmëri për të përballuar çdo situatë të mundshme. /AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore