Lajme

Zaharieva: Maqedonia mohon historinë e përbashkët


Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, ka akuzuar qeverinë e Shkupit se është arsyeja pse dy vendet kanë mosmarrëveshje, pasi mohon historinë e përbashkët.

Këtë deklaratë Zaharieva e bëri për një gazetë gjermane, ku tha se Bullgaria pranon vetëm identitetin e ri maqedonas të formuar pas vitit 1945.

“Një identitet i veçantë maqedonas u formua në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Bullgaria njeh këtë identitet të veçantë të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe mbështet integrimin evropian”.

Zaharieva ka deklaruar se një komision i përbashkët i historisë është krijuar për të zgjidhur këto mosmarrëveshje, por që akoma nuk ka pasur rezultate konkrete.

“Heronjtë e zakonshëm kombëtarë, të tillë si Goce Dellçev, i cili si një maqedono-bullgar luftoi për pavarësi nga Perandoria Osmane në shekullin XIX, portretizohen vetëm si maqedonas. Versionet maqedonase të këngëve dhe romaneve të famshme bullgare janë rishkruar për të fshirë gjithçka bullgare në to”.

Për më tepër, Zaharieva tha se RMV-ja nuk e ka zbatuar Marrëveshjen e Miqësisë të nënshkruar në vitin 2017.

Duke përmendur rastet e fyerjeve që u janë bërë bullgarëve maqedonas dhe diskriminimit të investitorëve bullgarë.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët e ndiejnë veten si bullgarë, ngacmohen dhe dënohen, dhe adresat e tyre zbulohen në rrjetet sociale”.

Gjithashtu ajo tha se Shkupi po pengon ndërtimin e autostradës A1, e financuar nga Bashkimi Evropian (BE).

“130 milionë euro janë humbur tashmë për ndërtimin e autostradës A1 midis dy vendeve tona, sepse Shkupi injoron kërkesat për fonde të BE-së”.

Si përfundim, ajo tha se RMV-ja do të fillojë negociatat me BE-në, vetëm pasi të zgjidhë mosmarrëveshjet që ka me Bullgarinë. RMV-ja duhet të kapërcejë çështjet e hapura bilaterale, sipas saj.

“Shpresoj se Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti do të jetë në gjendje të fillojë negociatat. Kolegët në Shkup duhet të tregojnë se janë të përkushtuar për një angazhim afatgjatë për të ardhmen e tyre evropiane, duke përqafuar vlerat evropiane, siç bëri Bullgaria 14 vjet më parë”, e mbylli Zaherieva.

Mosmarrëveshjet mes vendeve

Kujtojmë se këto dy shtete kanë pasur konflikte të hershme historike. Tensionet mes vendeve u rritën vitin e kaluar. Kjo erdhi pas vendosjes së vetos nga pala bullgare për hapjen e negociatave mes BE-së dhe RMV-së.

Mosmarrëveshjet mes dy vendeve kanë të bëjnë me konfliktet disavjeçare mbi shtetformimin e tyre. Bullgaria ka pretenduar se kombi maqedonas nuk ekziston dhe se ata në të vërtetë janë bullgarë. RMV-ja, nga ana tjetër, jep versionit e saj të historisë.

Prandaj procesi integrues për RMV-në është shtyrë për në vitin 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore