Lajme

Zaghari-Ratcliffe lihet e lirë, por përballet me akuza të reja


Nazanin Zaghari-Ratcliffe, një shtetase britaniko-iraniane e mbajtur në Iran me akuza për kryengritje, i është hequr etiketimi elektronik pasi dënimi i saj me pesë vite burg përfundoi.

Lajmi është bërë i ditur nga avokati i saj, por mbetet e paqartë nëse 43-vjeçarja do të jetë në gjendje të largohet nga Irani.

Zaghari-Ratcliffe, e cila vitin e kaluar ishte në arrest shtëpiak pasi u largua nga burgu në mars të 2020-ës për shkak të pandemisë së coronavirus-it, ishte thirrur përsëri në gjykatë për një akuzë tjetër.

Ajo është akuzuar për përfshirje në “propagandë kundër sistemit” për pjesëmarrje në një tubim jashtë ambasadës së Iranit në Londër, pas rezultateve të diskutueshme të zgjedhjeve të vitit 2009.

Ajo pritet të paraqitet në gjykatë më 14 mars.

Sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab e nxiti Iranin të lirojë Zaghari-Ratcliffe.

“Ne e mirëpresim vendimin për heqjen e etiketimi elektronik, por trajtimi i Iranit ndaj saj është i pa tolerueshëm”, tha ai në Twitter.

Ai shtoi se ajo duhet të lejohet të kthehet në MB sa më shpejt të jetë e mundur, që të ribashkohet me familjen e saj.

Historia e arrestimit të saj

Zaghari-Ratcliffe u arrestua në vitin 2016 pasi kishte ardhur në Iran me vajzën e saj të vogël për të vizituar familjen. Ajo u akuzua për spiunim dhe përpjekje për të përmbysur qeverinë e Iranit, akuza të cilat i ka mohuar.

Arrestimi dhe burgosja e saj thelloi një përçarje politike midis Iranit dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila vazhdimisht ka kërkuar lirimin e saj të menjëhershëm.

Grupet e të drejtave dhe zyrtarët perëndimorë kanë thënë se çështja e saj është një nga disa rastet kur Irani arreston në mënyrë arbitrare të huajt për akuza të trilluara në mënyrë që t’i përdorë ato për leverdi politike.

Irani, i cili nuk e njeh zyrtarisht statusin e kombësisë së dyfishtë, mohon përfshirjen në këtë praktikë, duke argumentuar se çështjet e shtetasve iranianë janë çështje të brendshme të vendosura nga një gjyqësor i pavarur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore