Lajme

Zaev: Presim hapjen e negociatave, identiteti maqedonas jo objekt diskutimi


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka deklaruar nga Brukseli se pret hapjen e negociatave nëpërmjet Konferencës së Parë Ndërqeveritare në qershor. Mbi këtë, ai shtoi se identiteti maqedonas nuk është objekt diskutimi dhe se vetoja bullgare duhet të anulohet.

“Maqedonia e Veriut ka rekomandimin e pakushtëzuar të Komisionit Evropian” deklaroi Zaev-i pas takimit me funksionarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe kryeministrave të Ballkanit Perëndimor.

“Këtë e kanë vërtetuar edhe raportet për përparimin e vendit nga KE-ja”.

Hapja e negociatave maqedonase gjithsesi, kushtëzohet nga vendimi i Bullgarisë për t’i bllokuar ato. Por, Zaev-i, nuk pret anulim të mëtejshëm të konferencës.

Vetoja është e lidhur me identitetin maqedonas, për të cilin Bullgaria pretendon se nuk ekziston. Sipas tyre, ai është identitet bullgar.

Zaev-i, përpos këtij pretendimi nga Sofja, e ka hequr nga çdo diskutim çështjen.

“Identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë dhe asnjëherë nuk kanë qenë temë për të negociuar”, theksoi ai. “Kjo as ka qenë dhe as që duhet të jetë në tryezën e negociatave për anëtarësimin në BE”.

Mbi bisedimet me Bullgarinë, ai u shpreh i hapur për diskutime dypalëshe. Gjithsesi, kjo duke lënë mënjanë integrimin e Maqedonisë së Veriut, si çështje tërësisht tjetër.

Shqipëria është gjithashtu e përfshirë në trinomin Bullgari-MV-BE. Zyrtarë të lartë evropianë, gjithnjë kanë cilësuar rrugën shqiptaro-maqedonase si një të vetme.

Pavarësisht kësaj, sinjale ka pasur javët e fundit se Shqipëria mund të ndahet si e vetme mbi çështjen e integrimit.

Bullgaria sakaq, është e qartë në qëndrim: “Vetoja mbi maqedonasit nuk hiqet as nga qeveria tranzitore!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore