Shqipëria

Yuri Kim: SHBA-të dhe Shqipëria kanë përgjegjësi të veçantë për Ukrainën, Rusia do të japë llogari


Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, nëpërmjet një deklarate për shtyp me shkrim, e ka bërë të qartë qëndrimin amerikan karshi Ukrainës dhe kundrejt Rusisë, në agresionin ushtarak që kjo e fundit ka ndërmarrë prej 24 shkurtit 2022, duke siguruar mbështetje të plotë për Kievin.

Ambasadorja, jo vetëm kaq, por ka vlerësuar edhe Shqipërinë, për rolin që ka në Këshillin e Sigurimit, duke theksuar se Tirana dhe Washingtoni, kanë një përgjegjësi të veçantë mbi atë çfarë por ndodh në Ukrainë, për shkak se janë edhe bashkëpenëmbajtëse të kauzës së Kievit në Këshill.

Përpos një përshkrimi të detajuar të situatës së shkaktuar prej luftës, Kim nuk ka ngurruar të theksojë se “Rusia do të mbajë përgjegjësi”.

“Kemi një mesazh shumë të thjeshtë për Ushtrinë ruse dhe lidershipin politik atje”, nënvizon diplomatja. “Bota po sheh dhe ju do të mbani përgjegjësi”.

Më tej, ajo shtjellon se Amerika do të vijojë të furnizojë Kievin me armë, për sa kohë të jetë e nevojshme ndihma ndaj popullit ukrainas, i cili po i reziston pushtimit rus.

Gjithashtu, ajo ka bërë me dije se do të ketë edhe ndihma humanitare dhe asistencë, për të gjitha ato familje, të cilat janë prekur nga lufta brutale dhe pa kuptim e Kremlinit.

Mbi hetimet e krimeve të luftës në Ukrainë, Kim ka theksuar se po vijojnë të ndiqen dhe Shqipëria është po ashtu e përfshirë.

“Së bashku me Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara po mbështesin një sërë hetimesh ndërkombëtare për mizoritë në Ukrainë. Këtu përfshihen ato të kryera nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE)”.

Ndërsa, mbi qëndrimin botëror të Perëndimir, ajo e bëri të qartë se ka një dakordësim të fortë se sjellja e Rusisë, është krejtësisht e patolerueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore