Shqipëria

Yuri Kim përshëndet emërimin e gjyqtarit të nëntë në Gjykatën e Lartë


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ka përshëndetur emërimin e gjyqtarit të nëntë në Gjykatën e Lartë, të premten e 30 korrikut.

“Faleminderit edhe një herë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Presidencës. Mbetet për t’u caktuar edhe një gjyqtar në mënyrë që Gjykata e Lartë të caktojë gjyqtarë për Kushtetuesen”, shkruan Kim në median sociale Twitter.

Më tej ajo shton se duhet të vazhdojmë të ecim përpara, “hap pas hapi”, në mënyrë që reforma në drejtësi të japë më shumë rezultate dhe Shqipëria të qëndrojë në rrugën drejt Evropës.

Gjatë kësaj dite presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta,  dekretoi emërimin e anëtarit të nëntë të Gjykatës së Lartë.

U bë me dije se Asim Vokshi do të ishte gjyqtari i nëntë i Gjykatës, nga 19 anëtarë që duhet të jenë gjithsej.

Vokshi u përzgjodh nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.

Meta pasi mori propozimin e përcjellë nga ky organ, vendosi që të dekretojë në detyrë Vokshin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore