Shqipëria

Yuri Kim: Inkurajojmë veprimet e fundit të SPAK


Në të djathë, Ambasadorja Amerikane Yuri Kim dhe në të majtë, kreu i SPAK, Arben Kraja

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ka publikuar një foto me kreun e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Arben Kraja.

Ambasadorja inkurajon punën e bërë së fundmi nga prokuroria e posaçme, mbi hetimet, arrestimet dhe dënimet e bëra. “Një vit më parë kam takuar Arben Krajan”, shkruan Kim në Twitter. “Sot, e telefonova për ta falënderuar dhe inkurajuar për punën që po bën”.

Ambasadorja ka nënvizuar në status se, “reforma në Drejtësi nuk është e thjeshtë, e shpejtë apo perfektë”. “Po i shohim tashmë rezultatet”, thekson ambasadorja. “Le të vazhdojmë së bashku përpara, hapë pas hapi”, përmbyllet statusi.

Në javën e fundit, SPAK-u ka konkretizuar një sërë akuzash mbi disa çështje.  Më me bujë, ishte ajo e Gjykatës së Krujës, me caktimin e masës së arrestit për gjyqtaren Enkeleida Hoxha.

SPAK-u ka nisur gjithashtu hetime për përgjimet e çështjes “Ndrangheta”, ku dyshohet se janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë shqiptarë.

Dosja 339, e grupit Avdylaj, ishte një tjetër pikë e nxehtë. Për anëtarët e grupit, prokuroria e posaçme ka konfiskuar pasuritë dhe ka dënuar 17 prej tyre me 124 vite burgim në tërësi.

Ambasadorja Kim, ka qenë që në gjenezë të SPAK-ut, një ndër mbështetëset më të fuqishme të strukturës. Ajo shpesh ka bërë thirrje se në rrjetën e drejtësisë, do të bien “peshqit e mëdhenj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore