Aplikacione

YouTube-i mund të rikthejë Trump-in


Platforma e videove në internet, YouTube, ka njoftuar se mund të heqë pezullimin e llogarisë personale të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nëse ulet rreziku nga kërcënimi i dhunës në botën reale.

Agjencia e lajmeve, BBC, shkruan se shefja ekzekutive e YouTube-it, Susan Wojcicki, ka deklaruar se kompania do të shohë paralajmërimet e qeverisë dhe retorikën e dhunshme për të përcaktuar se kur është momenti i duhur i heqjes së pezullimit.

Llogaria personale e ish-presidentit Trump u pezullua pas trazirave të datës 6 janar në Capitol të SHBA-ve, të cilat lanë pesë të vdekur.

Sipas BBC, arsyetimi i kompanisë për pezullimin e llogarisë ishte shkelja e politikës së ndjekur kundër nxitjes së dhunës.

“Është mjaft e qartë se këtu ku qëndrojmë, ekziston ende rreziku i lartë i dhunës”, ka thënë gjatë një interviste për Këshillin Atlantik, Wojcicki.

Sipas saj, sjellja e Trump-it nuk kishte çuar në një ndalim të plotë të platformës. Kjo, pasi kompania operon me një sistem me tri ndarje. Një llogari duhet të marrë tre penalizime brenda 90 ditëve për t’u hequr përgjithmonë.

Pezullimi i llogarisë së ish-presidentit Trump në muajin janar ishte faza e parë e pezullimit për të në platformë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore