Sport

Yoshiro Mori: “jo takimeve me shumë gra”


“Takimet ku marrin pjesë shumë gra, zakonisht, zgjasin më shumë sesa është e nevojshme”. Kjo u deklarua nga presidenti i Komitetit Olimpik Japonez (JOC) Yoshiro Mori, duke iu referuar propozimit të Ministrisë Japoneze të Arsimit mbi mundësinë e përfshirjes së një numri më të madh të grave në këshillin e Lojërave Olimpike.

Deklarimi i Mori-t, që nuk është i pari i këtij lloji, i zhgënjeu dhe i vuri në siklet të pranishmit. 83 vjeçari Mori, përmendi si shembull përvojën e tij si president i Federatës Rugby, duke përshkruar sensin e fortë të rivalitetit midis seksit të bukur. “Nëse njëra prej tyre ngre dorën për të folur, të tjerat ndihen të detyruara të përgjigjen dhe si përfundim që të gjitha marrin pjesë,” tha Mori.

Synimi i JOC është të rrisë praninë e grave në komitetin drejtues deri në 40%, nga 20% aktual. “Më thanë që nëse rrisim përqindjen e grave në bord duhet të kufizojmë kohëzgjatjen e ndërhyrjeve të tyre, përndryshe ato nuk pushojnë së foluri dhe çështja bëhet problematike”, vazhdoi Mori.

Kritikat u ngritën nga drejtori i JOC, Kaori Yamaguchi: “Barazia gjinore dhe respekti më i madh për njerëzit me aftësi të kufizuara janë vlera themelore për organizatorët e Lojërave të Tokyo-s. Është për të ardhur keq që presidenti i komitetit organizues i bën këto komente”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore