Përballje

Ylli barazon serinë e gjysmëfinaleve në 1:1 me Rahovecin


Skuadra e Golden Eagle Yllit ka shënuar fitore ndaj Rahovecit me rezultat 62:70, duke barazuar serinë e ndeshjeve në 1:1 në kuadër të “Play-off”-i të gjysmëfinaleve të Five Star Superligës së Kosovës në basketboll.

Mysafirët nga Suhareka e nisën shumë mirë ndeshje, duke dominuar në çerekun e parë, ku kishin epërsi  deri në 13 pikë, derisa kjo pjesë përfundoi me rezultat 13:25 në favor të Yllit.

Vendasit nuk u dorëzuan dhe u kundërpërgjigjen shpejt, duke ngushtuar epërsinë në 31:35, ndërsa shifrat në semafor pas çerekut të dytë ishin 31:37 në favor të mysafirëve.

Lojë interesante u zhvillua edhe në periodën e tretë, ku therandasit u shkëputen sërish në 37:50, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 47:55.

Pavarësisht prej epërsisë së Yllit, asgjë nuk kishte përfunduar sepse vreshtarët u rikthyen në 10 minutat e fundit, duke ngushtuar shifrat në 62:66, por nuk arrijnë të bëjnë më shumë.

Dhe në fund, Golden Eagle Ylli triumfoi 62:70, kështu duke barazuar serinë e gjysmëfinaleve në 1:1.

Derisa dy ndeshjet e radhës do të zhvillohen në Suharekë, kurse skuadra që shënon tre fitore do të kualifikohet në finalen e madhe.

Te Rahoveci u dallua Ed Daniel me 19 pikë e 14 kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Demetris Morant me 11 pikë e 9 kërcime, Elyjah Clark me 18 pikë dhe Erjon Kastrati me 13.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore