Lajme

Yemen: 14 të vdekur nga bombardimet e koalicionit saudit


Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite vrau 14 persona në kryeqytetin e kontrolluar nga rebelët e Yemen-it.

Lajmin e bën të ditur Agjencia Franceze e Lajmeve, e cila iu referua një autoriteti shëndetësor të martën e 18 janarit.

Sulmi i kryengritësve Huthi në Emiratet e Bashkuara Arabe ka rritur tensionet rajonale.

Banorët e Sanaas po gërmonin rrënojat për të gjetur të mbijetuarit e sulmeve që rrafshuan dy shtëpi.

Kjo, disa orë pasi Huthi-t kishin vrarë tre persona gjatë një sulm të telekomanduar me dron.

Ngjarja

Gjenerali i brigadës Huthi, Abdullah Qassem Al-Junaid, drejtor i akademisë së forcave ajrore të rebelëve, u vra së bashku me anëtarët e familjes.

Lajmin e raportoi agjencia e lajmeve e rebelëve Saba.

“Kërkimet po vazhdojnë për të mbijetuarit në rrënoja”, u shpreh për AFP-në Akram al-Ahdal, një i afërm i disa prej viktimave.

Emiratet e Bashkuara Arabe ishin zotuar për një përgjigje të ashpër ndaj sulmit të së hënës.

Kujtojmë që Emiratet janë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, të cilët luftojnë rebelët e mbështetur nga Irani.

Yemen-i, lufta e të cilit gati shtatëvjeçare ka vrarë qindra mijëra, zë një pozicion strategjik në Detin e Kuq.

Ky është një kanal jetik për naftën nga Gjiri i pasur me burime.

Pas sulmeve, sundimtari i Arabisë Saudite, Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, dhe Princi i Kurorës së Abu Dhabit, Mohamed bin Zayed ranë dakord në një telefonatë që të “përballen së bashku ndaj këtyre akteve të agresionit”.

Ndërtimi i përplasjes

Lufta civile e Yemen-it filloi në vitin 2014 kur Huthi-t pushtuan kryeqytetin Sanaa.

Kjo, duke nxitur forcat e udhëhequra nga Arabia Saudite të ndërhynin për të mbështetur qeverinë një vit më pas.

Konflikti ka qenë një katastrofë për miliona qytetarë të saj që kanë ikur nga shtëpitë e tyre.

Organizata e Kombeve të Bashkuara e quajti krizën më të keqe humanitare në botë.

OKB-ja ka vlerësuar se lufta vrau 377 mijë persona deri në fund të vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore