Pajisje

Xiaomi tejkalon parashikimet me 21.4% rritje të të ardhurave


Kompania Xiaomi ka raportuar një rritje me 21.4 për qind në të ardhurat e tremujorit të katërt, pasi dërgesat e industrisë së celularëve rriten ngadalë pas mungesës globale të çipave dhe pandemisë.

“Në vitin 2021 përjetuam një situatë shumë komplekse”, ka deklaruar presidenti i Xiaomi-t, Wang Xiang.

“Furnizimi është në një pozicion shumë të rëndë dhe ka ndikim gjeopolitik. Megjithatë, performanca e Xiaomi-t ka treguar se jemi kompani elastike”, ka vijuar ai.

Për tremujorin e mbyllur më 31 dhjetor, të ardhurat e kompanisë kanë arritur në 13.45 miliardë dollarë.

Referuar vetë kompanisë, po në të njëjtin tremujor, dërgesat e telefonave inteligjentë kanë pësuar një rritje me 4.4 për qind në 44.1 milionë njësi.

Wang ka treguar se sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm të çipave ishte ende sfidë në tremujorin e parë të vitit 2022, por ai priste që situata të përmirësohej deri në qershor.

Meqë kompania e merr shumicën dërrmuese të të ardhurave nga shitja e celularëve, të ardhurat e saj nga smartphone-ët pësuan rritje me 18.4 për qind në 7.94 miliardë dollarë) në tremujorin e tretë.

Vitin e kaluar, Xiaomi rrëmbeu pjesën e tregut vendas në Kinë larg Huawei-t që e humbi vrullin e telefonave inteligjentë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën kufizime të eksportit për furnitorët.

Në Kinë, dërgesat e telefonave inteligjentë të Xiaomi-t në tremujorin e katërt kanë pësuar rritje me 10 për qind. Kurse në nivel global me pesë për qind.

Ngadalësimi i kërkesës për celularë në Kinë e nxiti kompaninë të kërkonte mundësi të reja.

Ajo ka planifikuar të investojë 10 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme në prodhimin e makinave elektrike, të cilat shpreson t’i sjellë në treg deri në vitin 2024.

Po ashtu ka rritur investimet në çipa.

Për Wang-un, investimet në çipa do të shkojnë në fusha “të lidhura drejtpërdrejt me përvojën e përdoruesit”, siç është karikimi i shpejtë.

Xiaomi ka zgjeruar gjithashtu shitjen me pakicë në dyqanet fizike, me shpresën për të tërhequr më shumë klientë.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore