Lajme

Xhibuti/ Përmbyset një anije, vdesin 34 emigrantë


Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) raportoi se 34 emigrantë u mbytën, të hënën, pasi anija e tyre u përmbys në brigjet e Xhibutit. Ky është aksidenti i dytë i tillë brenda pak më shumë se një muaji.

Të mbijetuarit raportuan se anija u përmbys nga dallgët e mëdha të detit, rreth orës 4:00 të mëngjesit. Një zyrtar i IOM në Xhibuti, i cili kërkoi të mos i përmendet emri, tha se anija kishte rreth 60 pasagjere ne bord.

“Emigrantët po transportoheshin nga trafikantët e njerëzve”, shtoi në Twitter, Mohammed Abdiker, drejtori rajonal i IOM për Afrikën Lindore

“Kapja e trafikantëve njerëzor, duhet të ketë përparësi. Janë shumë jetë të humbura, pa nevojë”.

Midis trupave të gjetur kishte dhe shumë fëmijë, tha zyrtari, duke shtuar se të mbijetuarit po merrnin trajtim nga IOM dhe autoritetet lokale.

Anija u përmbys në veri të qytetit port Obock të Xhibutit. Qyteti është një pikë kryesore tranziti për mijëra emigrantë afrikanë që përpiqen të shkojnë në Gji.

Ngjarja pason një aksident të ngjashëm më 4 mars kur 20 persona u mbytën pasi kontrabandistët hodhën dhjetëra emigrantë në det.

Të paktën 200 emigrantë ishin në bordin e asaj anijeje kur ajo u largua nga Xhibuti. Por rreth 30 minuta pas nisjes, kontrabandistët u frikësuan nga paniku për peshën në bord dhe hodhën 80 persona në det.

Dy incidente të ngjashme në tetor morën jetën e të paktën 50 emigrantëve.

Çdo vit mijëra emigrantë bëjnë udhëtime të rrezikshme me anije nga Briri i Afrikës në Jemenin e shkatërruar nga lufta e pastaj për në vendet e Gjirit në kërkim të punës.

Besohet se mijëra emigrantë janë të bllokuar në Jemen, ku një konflikt shumëvjeçar, i cili ka marrë dhjetëra mijëra jetë, konsiderohet si kriza më e rëndë humanitare në botë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore