Lajme

Xhavit Haliti: Deputetët të qëndrojnë në sallë dhe votojnë për apo kundër – siç kërkoi ambasadori Kosnett


Xhavit Haliti, deputet i PDK-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, tha në Klan Kosova se nuk ka qenë në dijeni që do të mbahet seanca për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës këtë të shtunë.

Por, pavarësisht kësaj i ka ftuar të gjithë deputetët që të qëndrojnë në sallë për t’ia bërë kuorumin Osmanit për t’u zgjedhur Presidente e Kosovës.

“Nuk e kam ditë që ka seancë në Kuvend të Kosovës. Ju propozoj të gjithë deputetëve që ta lexojnë mirë deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë për ose kundër”, tha Haliti.

Anëtari i kryesisë së PDK-së tha se ai vendos vetë për vendimet e tij.

“Unë e kam një emër timin dhe unë gjykoj ashtu si mendoj dhe jo ashtu si mendon dikush tjetër. Nuk i interpretoj vendimet e dikujt tjetër. Kosova duhet t’i krijojë institucionet tona sepse është interes i Kosovës dhe jam në një linjë me ambasadorin e SHBA-së”, shtoi Haliti.

“Tani të gjithë deputetët kanë mendimin e vet, unë nuk mund ta detyrojë askënd që veprojë sipas mendimit tim”.

Haliti ishte i vetmi nga PDK-ja që dha votën për zgjedhjen e Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, që ishte paraparë të nisë në orën 18:00, është shtyrë për një orë.

Në ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosja ka mbledhur deputetët në një takim para fillimit të seancës.

Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se asnjëri kandidat nuk i arrin votat e nevojshme, derisa zgjedhjet, sipas Kushtetutës, në raste të tilla duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore